Botë

Polonia zgjat kontrollet kufitare me Gjermaninë dhe Lituaninë

Kufiri Gjermani-Poloni

Foto: Associated Press

Polonia do të zgjasë kontrollet në kufijtë e saj me Gjermaninë dhe Lituaninë, të nisura këtë verë, deri më 4 prill 2026, ka bërë të ditur të mërkurën ministria e Brendshme polake.

Polonia ka futur kontrolle të përkohshme përgjatë kufijve me Gjermaninë dhe Lituaninë në korrik, duke i bërë jehonë lëvizjeve të disa vendeve të tjera të Bashkimit Evropian në rivendosjen e kontrolleve kufitare për të ndaluar migrimin e paligjshëm.

Polonia është përballur me atë që e quan një krizë migrantësh të orkestruar nga Bjellorusia dhe Rusia në kufirin e saj lindor që nga viti 2021. Të dy vendet mohojnë se kanë inkurajuar migrantët të kalojnë kufirin.

Kontrollet kufitare fillimisht ishin për një muaj dhe u zgjatën për dy muaj të tjerë në gusht. Ministria e Brendshme ia ka konfirmuar Reuters se zgjatja e re do të hyjë në fuqi më 5 tetor dhe do të zgjasë deri më 4 prill 2026.

"Ne po zgjasim kontrollet kufitare me Gjermaninë dhe Lituaninë për të monitoruar rrugën e migrimit që të çon nga shtetet baltike, përmes Polonisë, në Evropën Perëndimore", u citua të thoshte ministri i Brendshëm Marcin Kierëinski në një deklaratë të mëvonshme.

"Po kapim individë që përpiqen ilegalisht të kontrabandojnë emigrantë në Perëndim”, ka shtuar ai.

Ministria ka thënë se në tetë muajt e parë të vitit 2025, në kufirin polako-bjellorus u regjistruan gati 25,000 përpjekje për kalime të paligjshme.

Rojet kufitare ndaluan gati 500 shtetas të vendeve të treta që kaluan ilegalisht kufirin nga Lituania në Poloni, ka njoftuar ajo.

Më shumë se 2,100 persona janë ndaluar për përpjekje për të kaluar kufirin nga Polonia në Gjermani, përfshirë gati 550 të huaj që kishin kaluar më parë ilegalisht kufirin polako-bjellorus.