Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Polonia rrit gatishmërinë pasi një objekt i paidentifikuar hyri në hapësirën ajrore nga Ukraina

Komanda e ushtrisë polake bëri të ditur se një objekt i paidentifikuar ka hyrë në hapësirën ajrore të këtij vendi nga drejtimi i Ukrainës, vetëm pak orë pas sulmit me raketa ruse ndaj Ukrainës.

Forcat e armatosura deklaruan se të premten në mëngjes është vërejtur një objekt i paidentifikuar duke hyrë në hapësirën ajrore nga drejtimi i Ukrainës.

“Që nga momenti kur objekti kaloi kufirin deri në zhdukjen e sinjalit, u pikas nga radarët. Ne aktivizuam të gjitha forcat dhe burimet që dispononim", ka thënë ushtria.

Nënkoloneli i ushtrisë Jacek Goryszewski ka thënë për TVN24 se gatishmëria luftarake e mbrojtjes ajrore është rritur.

“Duhet të jemi të përgatitur për skenarë të ndryshëm. Ne po shqyrtojmë të dhënat nga sistemet e radarëve dhe kërkimi i objektit në terren është duke u zhvilluar. Më shumë se 20 ushtarë janë të përfshirë në zonën ku humbi sinjali”, ka bërë të ditur ai.

Edhe Polonia akuzon Rusinë për provokim pas shkeljes së hapësirës ajrore Botë Polonia akuzon Rusinë për provokim pas shkeljes së hapësirës ajrore

Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, gjithashtu foli për incidentin.

“Për shkak të paraqitjes së një objekti të paidentifikuar në hapësirën ajrore polake, shërbimet shtetërore reaguan menjëherë. Jemi në kontakt me presidentin, kryeministrin, shefin e Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantin operacional të Forcave të Armatosura. Shteti po vepron”, ka shkruar ministri.