Policia e Koresë së Jugut kishte injoruar dhjetëra thirrje paralajmëruese disa orë para tragjedisë së Natës së Hallovinit, ku tollovia ua mori jetën mbi 150 personave në festë. Në ditën kur policia ka marrë përsipër përgjegjësinë e dështimit, janë ekspozuar qindra palë këpucë e gjësende personale të viktimave dhe të të mbijetuarve
Shefi i policisë së Koresë Jugore e ka pranuar përgjegjësinë për dështimin për të parandaluar tollovinë e Hallovinit në Seul, ku mbetën të vdekur 153 persona.
Jun Hi Keun ka thënë se zyrtarët policorë nuk i kishin menaxhuar si duhet thirrjet paralajmëruese për turmën e madhe të njerëzve në distriktin Itaevon, lagje e njohur për klubet e jetës së natës.
Hetimet e para kanë treguar se ishin injoruar dhjetëra thirrje urgjente edhe disa orë para njërës prej tragjedive më të mëdha të viteve të fundit në Korenë Jugore.
Qindra palë këpucë janë vendosur në radhë në fushën e badmintonit në Seul.
Krejt këto janë pjesë e rreth 1.5 tonelatash me gjësende personale të viktimave të të mbijetuarve të tragjedisë. Zyrtarët shpresojnë se familjarët dhe të afërmit e viktimave do t’i marrin ato.
Edhe
Nëntë të vdekur pasi një veturë përplas një turmë njerëzish në Seul
Shumica e viktimave ishin gra dhe shumica prej tyre u gjetën të vdekura pa këpucë në shtegun e ngushtë të tragjedisë.
Rreth 250 palë këpucë janë pjesë e koleksionit të madh të gjësendeve të gjetura në Itaevon.
Ndërkohë, qytetarët e Seulit kanë nderuar sot viktimat e së shtunës mbrëma. Në zona të ndryshme të kryeqytetit po bëhen homazhe për të respektuar kujtimin për viktimat.
Në sheshin qendror të Seulit, pos homazheve, ka pasur edhe muzikë klasike në altarin të mbushur me lule të bardha. Vizitorët kanë pritur në radhë.
Koreja Jugore ka shpallur një javë zi kombëtare dhe ka urdhëruar uljen e flamujve në gjysmështizë në ndërtesa publike.
Edhe
Gjendet i vdekur oficeri koreano-jugor, hetohej për reagimin e Policisë në stampedon e Seulit
Yoo Byung Moon, qytetar, ka theksuar: "Erdha këtu sepse isha shumë i tronditur pasi pashë lajmin. Kjo tragjedi e papritur shkaktoi kaq shumë vdekje të të rinjve dhe unë u lëndova. Erdha këtu nga Pyeongtaeku, provinca Gyeonggi dhe është më e vështirë ta shohësh këtu personalisht”.
Ai ka thënë se nuk mund ta marrë me mend se si ndihen prindërit e viktimave. “Përpara se të përgjigjen dikë për këtë aksident, shpresoj që ata të bëjnë përpjekje për t'i ndihmuar të flijuarit të pushojnë në paqe, në vend që të fajësojnë njëri-tjetrin”.