Policia federale në Gjermani tha të enjten se ka arrestuar një 55-vjeçar nga ish-Jugosllavia, i cili ishte dënuar para 23 vjetëve në Kroaci për krime kundër njerëzimit dhe që nuk e kishte vuajtur asnjëherë dënimin.
I arrestuari, tani qytetar amerikan, ishte dënuar në vitin 1997 me dënim prej 10 vjetëve burgim për vrasjen e një personi civil në vitin 1993 gjatë luftës në Kroaci. Policia gjermane tha se vrasja kishte ndodhur gjatë kohës sa ai ishte pjesë e ushtrisë së Krajinës - territor kroat – në vitet 1990, raporton agjencia e lajmeve, Reuters.
Që nga ajo kohë, personi i arrestuar emrin e të cilit policia gjermane nuk e bëri publik për shkaqe privatësie, kishte arritur t’i ikte drejtësisë.
Ai u arrestua në aeroportin e Frankfurtit të hënën derisa ishte duke udhëtuar nga Çikagoja për në Beograd. Aktualisht ai po mbahet nga autoritetet gjermane deri në ekstradimin e tij në Kroaci.
Kroacia, tani anëtare e Bashkimit Evropian, fitoi luftën e saj për pavarësi në 1995 pas rreth katër vjet luftimesh me rebelët serbë që kundërshtuan shkëputjen e Zagrebit nga Jugosllavia federale, e mbizotëruar nga serbët.
Serbët nacionalistë të mbështetur nga Beogradi patën pushtuar një të tretën e territorit kroat, ku atëbotë shpallën republikë në territorin kroat të Krajinës dhe dëbuan popullsinë lokale kroate.
-
Arrestohet një i dyshuar për krime lufte në Komunën e Kaçanikut
-
Arrestohet shtetasi i Kosovës sapo futet në Gjermani, ishte i dënuar për vrasje
-
Polonia arreston një serbo-kanadez të dyshuar për krime lufte në Ballkan
-
Kosova në pritje të ekstradimit nga Mali i Zi të serbit të dyshuar për krime lufte
-
Krimineli serb i luftës gjendet i fshehur në Irlandë