Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar të martën se një takim midis presidentit rus, Vladimir Putin, homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka pak gjasa të ndodhë në rrethanat e tanishme, raporton The Guardian.
“Në të ardhmen e afërt, ka pak gjasa”, ka thënë Peskov para gazetarëve kur u pyet lidhur me gjasat e mbajtjes së takimit, tek ka shtuar se një samit i këtillë mund të ndodhë vetëm nëse delegacionet nga Rusia dhe Ukraina arrijnë “marrëveshje”.
Shtëpia e Bardhë pati njoftuar të hënën se Trumpi është “i hapur” ndaj ftesës së bërë nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, për të mbajtur një takim trepalësh në Turqi me liderët nga Ukraina dhe Rusia.
Zelensky e pati sfiduar muajin e kaluar Putinin që ta takonte personalisht në Stamboll, pasi që presidenti rus e kishte refuzuar kërkesën e Ukrainës dhe të aleatëve evropianë që të nënshkruante e ta pranonte armëpushimin e plotë 30-ditor.
Putini nuk udhëtoi për në Turqi. Ndërkaq, delegacioni rus ishte kryesuar nga ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Medinsky, i cili ka udhëhequr edhe rundin e dytë të bisedimeve.