Botë

Peskov: Rusia i ka parasysh komentet e Trumpit, por operacioni special ushtarak vazhdon

Dmitry Peskov

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar të martën para gazetarëve se Rusia i ka “parasysh” komentet më të fundit nga presidenti amerikan, Donald Trump, ka raportuar The Guardian.

Mirëpo, ai ka thënë më tutje se “operacioni special ushtarak”, term i përdorur në ligjërimin rus për ta relativizuar pushtimin e jashtëligjshëm të Ukrainës, do të vazhdojë, ndonëse Kremlini zyrtar mbetet “i përkushtuar ndaj procesit të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të siguruar interesat tona”.

Peskovi ka konfirmuar gjithashtu se ka pasur disi një “ngadalësim” në përpjekjet e Rusisë për të ringjallur marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Trumpi kishte thënë të hënën se është shumë i zhgënjyer me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai ka shtuar se mund ta shkurtojë afatin 50-ditor të cilin ia ka dhënë Rusisë për ta pranuar marrëveshjen e paqes në Ukrainë.

“Do t’i reduktojë 50 ditët që ia dhashë atij, sepse mendoj se e di se çfarë ka për të ndodhur”, ka thënë Trump.

I pyetur nga gazetarët se cili do të jetë afati i ri, presidenti amerikan ka theksuar se është “10 ose 12 ditë”, duke nisur nga e hëna.