Talebanët do ta mbulojnë Kabulin me lule të hedhura nga helikopterë në shënimin e përvjetorit të katërt të kthimit të tyre në pushtet në Afganistan.
Talebanët morën kontrollin e shtetit më 15 gusht 2021, disa javë para se SHBA-ja dhe NATO të tërhiqnin forcat e tyre pas dy dekadash lufte, raportoi AP.
Helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes do të japin “shfaqje të bukura ajrore” mbi kryeqytetin afgan të premten duke e mbuluar qytetin me lule shumëngjyrëshe, sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Informacionit dhe Kulturës. Do të ketë edhe performanca sportive.
Festimet vijnë në një kohë kur Afganistani përballet me një fluks masiv të refugjatëve nga shtetet fqinje, një ekonomi në rënie dhe shkurtime të fondeve të huaja. Pothuaj 10 milionë njerëz përballen me pasiguri akute.
Nuk është e qartë nëse gratë do të mund të jenë prezente në këto festime, apo do t’u ndalohet pjesëmarrja. Vitin e kaluar gratë u ndaluan nga ngjarjet e tilla, përfshirë gazetaret.