Policia dhe protestuesit në Kolumbi janë përplasur para zyrës së prokurorit të përgjithshëm pas marshit që bënte thirrje për lirimin e protestuesve të arrestuar në kryengritjen kundër qeverisë në vitin 2021.
Të premten qindra protestues kanë marshuar paqësisht drejt zyrës së kryeprokurorit në Bogota. Mirëpo, kur disa prej tyre tentuan të hiqnin rrethojat përreth ndërtesës, policia ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre. Përleshjet mes protestuesve dhe policisë kanë vazhduar në hapësirat e Universitetit të Kolumbisë. Protesta është thirrur pasi zyra e kryeprokurorit njoftoi se 168 të arrestuarve nga protestat e vitit të kaluar do t’u vazhdohej paraburgimi.
Dhjetë nga të arrestuarit, për të cilët protestuesit kanë thënë se janë të burgosur politikë, do të dalin para drejtësisë për akuzat për shkatërrim të pronës publike dhe për terrorizëm. Protestat e vitit 2021 nisën atëherë kur presidenti Ivan Duque vendosi taksë, që u refuzua nga studentët dhe sindikatat. Gjatë këtyre protestave vdiqën 46 persona, në mesin e tyre dy policë.