Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se spitali Al-Shifa duhet të mbrohet teksa të martën kanë vazhduar luftimet përreth spitalit më të madh të Gazës.
Bideni këto komente i ka bërë pak orë pasi kryeministri britanik, Rishi Sunak, i bëri thirrje Izraelit që të bëjë gjithçka për të mbrojtur civilët në Gazë dhe ka kërkuar për pauzë të menjëhershme humanitare.
Izraeli ka akuzuar Hamasin se po drejton komandën nën spitalin Al-Shifa. Këto akuza i ka mohuar grupi militant.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se spitali mund të shndërrohet në varrezë për shkak të trupave të të vdekurve brenda dhe jashtë spitalit.
Mjekët në spitalin Al-Shifa kanë konfirmuar për BBC-në të martën se 170 trupa janë varrosur në një varrezë masive që është hapur në hapësirat e spitalit.
Ndërkaq OKB-ja ka deklaruar se foshnjat e lindura para kohe dhe 45 pacientë me sëmundje të veshkave nuk mund të trajtohen siç duhet për shkak të mungesës së energjisë elektrike në spital.
Ushtria izraelite ka thënë se është në proces të transferimit të disa inkubatorëve nga Izraeli në Gazë, raportoi AP.
Ushtria izraelite nisi bombardimin e Gazës pas sulmit të Hamasit më 7 tetor.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka njoftuar se më shumë se 11 mijë palestinezë janë vrarë në Gazë – 4 mijë e 500 prej tyre janë fëmijë.