Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i pyetur për spitalin Al-Shifa, më i madhi në Gaza e që është në gjendje të rëndë për shkak të mungesës së naftës dhe po ashtu të luftimeve në afërsi, ka thënë se “spitali duhet të mbrohet”.
“Është shpresa dhe pritja ime që do të ketë më pak veprime ndërhyrëse në lidhje me spitalin”, ka thënë Biden, raporton BBC.
Ai ka shtuar se është në kontakt me izraelitët në lidhje me këtë çështje.
Komentet e tij kanë ardhur pasi zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë se SHBA-ja “nuk do të shohë civilë të kapur në mes të zjarreve” dhe “do të donte që të shihte Hamasin të lironte menjëherë spitalet dhe të mos i përdorte si poste komanduese”.
“Ne duam që Hamasi të mos i marrë rezervat e karburantit në të cilat është ulur dhe t’i përdorë ato për t’i furnizuar spitalet në veri të Gazës”, ka thënë zëdhënësi Matthew Miller.
Hamasi dhe spitali Al-Shifa kanë mohuar pretendimet e Izraelit se ka një qendër komanduese të Hamasit poshtë objektit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se gjendja në spitalin Al-Shifa është e rëndë. Ka thënë se është kthyer gati në “varrezë”.
Është thënë se foshnjat e lindura parakohe dhe 45 pacientë me probleme me veshka kanë probleme me trajtim për shkak të mungesës së energjisë elektrike.