Botë

Përmbytjet në Indi shkatërrojnë miliona shtëpi e mbytin shumë persona

“Kishte ujë gjithçka, por nuk kishte as një gllënjkë ujë për të pirë”.

Kështu e përshkruan Ronju Chowdhary skenën jashtë shtëpisë së saj. Ajo jeton në Udiana, në verilindje të shtetit indian Assam, i cili është goditur nga vërshimet.

Ajo thotë se ka rënë shi vazhdimisht dhe shumë shpejtë sa që rrugët ishin mbushur me ujë brenda disa orëve. Dhe kur uji kishte hyrë në shtëpitë e tyre, ajo thotë se familja ishte mbledhur në errësirë duke u munduar të qëndronte e sigurt.

Edhe pas dy ditësh familja po qëndron ende në shtëpinë e saj, në vendin që tani i ngjan një ishulli të vetmuar.

“Ne ishim të rrethuar nga uji në të katër anët. Por nuk kishte askund ujë për të pirë. Ushqimi po pakësohej gjithashtu. Dhe tani po dëgjoj se niveli i ujit po rritet. Çfarë do të ndodhë me ne”, ka pyetur ajo, shkruan BBC-ja.

Reshjet e mëdha të shiut dhe përmbytjet kanë shkatërruar qytetin e Assamit, kanë përmbytur fshatrat, kanë shkatërruar të korrat dhe shtëpitë. Autoritetet thonë se 32 nga 35 rrethet e saj janë prekur duke marrë jetën e 45 personave dhe duke zhvendosur 4.7 milionë të tjerë.

Reshjet e mëdha kanë prekur edhe qytetin fqinjë të Meghalayas ku 18 persona kanë vdekur në javët e fundit. Në Assam, qeveria ka hapur 1.425 kampe, por autoritetet thonë se puna tyre është vështirësuar për shkak të shkatërrimeve të mëdha.

Përmbytjet në mënyrë rutinore bëjnë kërdi në jetët dhe mjetet e jetesës së miliona njerëzve që jetojnë pranë brigjeve pjellore të lumit të fuqishëm Brahmaputra, i quajtur shpesh linja e shpëtimit e Asamit. Ekspertët thonë se faktorë si ndryshimi i klimës, aktivitetet e pakontrolluara të ndërtimit dhe industrializimi i shpejtë kanë rritur shpeshtësinë e ngjarjeve ekstreme të motit.

Kjo është hera e dytë këtë vit që Assami po përballet me përmbytje kaq të ashpra dhe të paktën 39 njerëz u mbytën në maj. Shteti ka regjistruar tashmë reshje shiu 109% mbi nivelet mesatare këtë muaj, sipas departamentit të motit. Dhe Brahmaputra po rrjedh mbi shenjën e rrezikut në shumë vende.