Botë

Përhapen protestat në Iran kundër inflacionit dhe zhvlerësimit të monedhës

Iran

Protestat dhe grevat në Iran për inflacionin dhe zhvlerësimin e monedhës janë përhapur nga kryeqyteti, Teherani, në disa qytete të tjera në ditën e tretë të trazirave.

Protestat filluan të dielën pasi dyqanxhinjtë në Pazarin e Madh të Teheranit organizuan një grevë pasi riali iranian arriti në nivelin më të ulët rekord kundrejt dollarit amerikan në tregun e hapur.

Që atëherë, videopamjet kanë treguar demonstrata në qytetet Karaj, Hamedan, Qeshm, Malard, Isfahan, Kermanshah, Shiraz dhe Yazd. Policia u pa gjithashtu duke përdorur gaz lotsjellës në një përpjekje për të shpërndarë demonstruesit.

Qeveria iraniane ka thënë se "i njeh protestat" dhe se do t'i dëgjonte "me durim, edhe nëse përballet me zëra të ashpër".

Presidenti Masoud Pezeshkian ka shkruar në X vonë të hënën se kishte udhëzuar ministrin e Brendshëm të zhvillonte bisedime me ata që ai i përshkroi si "përfaqësues" të protestuesve në mënyrë që të merreshin masa "për të zgjidhur problemet dhe për të vepruar me përgjegjësi".

Ai ka pranyar gjithashtu dorëheqjen e guvernatorit të bankës qendrore të Iranit, Mohammadreza Farzin, duke emëruar ish-ministrin e Ekonomisë dhe Financave Abdolnasser Hemmati për ta zëvendësuar atë.

Studentët e universitetit gjithashtu iu bashkuan protestave, duke brohoritur slogane antiqeveritare, përfshirë "Vdekje diktatorit" - një referencë për Udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili mban pushtetin përfundimtar në Iran.

Disa protestues u dëgjuan gjithashtu duke brohoritur slogane në mbështetje të djalit të të ndjerit Shah Mohammad Reza Pahlavi, i cili është rrëzuar në Revolucionin Islamik të vitit 1979.

Në përgjigje, Reza Pahlavi, i cili jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara, ka shkruar në X: "Unë jam me ju. Fitorja është e jona sepse kauza jonë është e drejtë dhe sepse jemi të bashkuar."

"Për sa kohë që ky regjim mbetet në pushtet, situata ekonomike e vendit do të vazhdojë të përkeqësohet", ka deklaruar ai.

Llogaria në gjuhën persiane në X e Departamentit amerikan të shtetit gjithashtu shprehu mbështetje për protestat.

Në llogari thuhej se SHBA-ja "vlerëson guximin e tyre" dhe qëndrojnë me ata që kërkojnë "dinjitet dhe një të ardhme më të mirë" pas viteve të politikave të dështuara dhe keqmenaxhimit ekonomik.

Raportohet se Irani ishte në krye të agjendës së një takimi midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu në Florida të hënën.

Presidenti Trump ka thënë se mund të mbështeste një rund tjetër sulmesh ajrore izraelite ndaj Iranit nëse vendi rindërtonte programet e tij të raketave balistike ose bërthamore.

Gjatë një lufte 12-ditore midis Izraelit dhe Iranit në qershor, SHBA-ja ka kryer sulme ajrore në vendet kryesore të pasurimit të uraniumit iranian. Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është tërësisht paqësor.