Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shkarkuar shefin e Agjencisë së Inteligjencës së Pentagonit, vetëm disa javë pas një përplasjeje me Shtëpinë e Bardhë lidhur me një raport mbi sulmet amerikane ndaj Iranit, raportojnë mediat amerikane, raporton BBC.
Gjenerali i lartë, Jeffery Kruse, nuk do të jetë më në krye të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA). Sipas burimeve, edhe dy komandantë të tjerë të lartë ushtarakë janë larguar nga postet e tyre nga Pentagoni.
Departamenti i Mbrojtjes nuk ka dhënë ende asnjë sqarim zyrtar për këto shkarkime.
Në muajin qershor, presidenti Donald Trump kishte kundërshtuar fort një raport të DIA-së që ishte publikuar në media, në të cilin thuhej se sulmet ndaj Iranit kishin arritur vetëm të vononin përkohësisht programin bërthamor iranian, për disa muaj. Shtëpia e Bardhë e kishte quajtur raportin “plotësisht të gabuar”.
Trump kishte deklaruar se objektet bërthamore në Iran ishin “shkatërruar plotësisht” dhe kishte akuzuar mediat për përpjekje për të njollosur një nga goditjet ushtarake më të suksesshme në histori.
Gjatë një samiti të NATO-s në atë kohë, Hegseth kishte thënë se raporti ishte bazuar në “informacione të dobëta” dhe kishte bërë të ditur se FBI-ja po hetonte rrjedhjen e informacionit.
Largimi i Kruseit u raportua fillimisht nga gazeta “Washington Post”.
DIA është pjesë e Pentagonit dhe merret me mbledhjen e informacioneve ushtarake për të ndihmuar operacionet. Ajo mbledh shumë të dhëna teknike, por është e ndryshme nga agjencitë si CIA.
Mësohet se Hegseth ka urdhëruar gjithashtu shkarkimin e shefit të rezervave detare të SHBA-së dhe komandantit të Forcave Speciale Detare, sipas burimeve të “Reuters”.
Në një deklaratë, senatori amerikan Mark Warner paralajmëroi se shkarkimi i Kruseit ishte një shenjë se Trump e shikon inteligjencën si “provë besnikërie” dhe jo si mjet për të mbrojtur vendin.
Trump ka shkarkuar edhe zyrtarë të tjerë më parë, kur analiza e tyre nuk përputhej me pikëpamjet e tij.
Në korrik, ai kishte kërkuar largimin e drejtoreshës së Statistikave të Punës, Erika McEntarfer, pasi një raport tregoi se rritja e vendeve të punës ishte ngadalësuar.
Në prill, Trump kishte shkarkuar Gjeneralin Timothy Haughin, drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare (NSA), si dhe dhjetëra punonjësi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.
Hegseth ka larguar edhe disa zyrtarë të tjerë ushtarakë nga Pentagoni. Në shkurt, ai shkarkoi gjeneralin e Forcës Ajrore, CQ Brown, së bashku me pesë admiralë dhe gjeneralë të tjerë.