Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi do të vizitojë Tajvanin të martën, thanë tre persona të informuar për këtë çështje, pasi Kina paralajmëroi se ushtria e saj nuk do të "rrinte duarkryq" nëse ajo vizitonte ishullin e vetëqeverisur që Pekini e konsideron territor të tijin, raporton agjencia Reuters.
Pelosi, e cila filloi një turne në Azi më herët të hënën në Singapor, do të kalonte natën e së martës në Tajvan, thanë personat në dijeni të vizitës së saj.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të hënën se një vizitë e mundshme në Tajvan nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi do të ishte tërësisht vendimi i saj, por i bëri thirrje Kinës që të mos përshkallëzojë tensionet në rast të një vizite.
"Nëse kryetarja Pelosi vendos të vizitojë Tajvanin dhe Kina përpiqet të krijojë një lloj krize ose të përshkallëzojë tensionet, kjo do të ishte tërësisht në anën e Pekinit", tha zoti Blinken pas bisedimeve për mospërhapjen bërthamore në Kombet e Bashkuara.
"Ne po kërkojmë që Kina - në rast se ajo vendos të vizitojë - të veprojë me përgjegjësi dhe të mos përfshihet në ndonjë përshkallëzim në vazhdim."
Ministria e Jashtme e Tajvanit tha se nuk kishte asnjë koment mbi njoftimet për planet e udhëtimit të zonjës Pelosi.
Edhe
Tajvani rrezikon ta paguajë shtrenjtë “poshtërimin e Kinës”
Mes spekulimeve të përhapura nëse ajo do të bënte një ndalesë në Tajvan, zyra e kryetares Pelosit tha të dielën se ajo po drejtonte një delegacion të kongresit në rajon që do të përfshinte vizita në Singapor, Malajzi, Korenë e Jugut dhe Japoni duke mos përmendur Tajvanin.
Një burim i tha agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara kishin informuar disa aleatë për vizitën e zonjës Pelosi në Tajvan. Dy burime të tjera thanë se zonja Pelosi ishte planifikuar të takonte një grup të vogël aktivistësh të cilët flasin hapur për të dhënat e të drejtave të njeriut në Kinë, gjatë qëndrimit të saj në Tajvan, ndoshta të mërkurën.