Botë

Pasuria e errët e burrështetasve të botës

Miliona dokumente kanë shpalosur marrëveshje dhe asete të më shumë se 100 miliarderëve, 30 liderëve të botës dhe të më shumë se 300 zyrtarëve të lartë publikë të shteteve të ndryshme

Marrëveshjet sekrete dhe asetet e fshehura të disa prej njerëzve më të pushtetshëm dhe më të pasur të botës janë zbuluar pas publikimit të një mali me dosje e dokumente të kompanive offshore. Kjo konsiderohet rrjedhja më e madhe e dokumenteve sekrete në histori.

Me emërtimin “Pandora Papers”, dokumentet përfshijnë 11.9 milionë dosje nga kompani të angazhuara nga klientë të kamur për të krijuar struktura dhe shoqata offshore për shpëlarje parash në vende si Panamaja, Dubai, Monako, Zvicra dhe Ishujt Kajman.

Ato ekspozojnë afera offshore të 35 liderëve të botës, përfshirë presidentë aktualë e të dikurshëm, kryeministrat e krerë shtetesh. Ato hedhin dritë edhe mbi financat sekrete të më shumë se 300 zyrtarëve të lartë publikë, si ministra qeverish, gjykatës, kryetarë komunash dhe gjeneralë ushtrish në më shumë se 90 shtete.

Bota e errët financiare

Dosjet përfshijnë edhe dokumente për donatorë të mëdhenj të Partisë Konservative të Britanisë së Madhe, duke ngritur dyshime për Boris Johnsonin në kohën kur partia e tij do të mblidhet në konferencën e përvitshme.

Më shumë se 100 miliarderë janë përfshirë në këto dokumente, por ka edhe figura të njohura, yje muzike dhe liderë biznesesh. Shumë prej tyre kanë përdorur kompani offshore për të pronësuar gjëra të kushtueshme, si jahte e prona, por edhe për shpëlarjen e parave nëpër llogari të panjohura bankare. Madje, janë përfshirë edhe vepra të njohura arti, si antikitetet kamboxhiane e piktura të Picassos dhe murale të Banksyt. “Pandora Papers” shpalosin punët e pista që kryhen prej njerëzve të botës së errët financiare, duke ofruar një dritare të rrallë për operacione të fshehta të ekonomisë globale offshore, që ua mundëson disa prej njerëzve më të pasur të botës të fshehin pasurinë e tyre dhe në disa raste, paguajnë pak ose fare taksa.

Në dokumente ka letra elektronike, memoare, të dhënat korporatash, certifikata dhe raporte të ndryshme që shpërfaqin labirintin e strukturave të panjohura financiare. Shpesh, ato lejojnë që pronarët e vërtetë të pronësojnë patundshmëri prej qindra e miliona eurosh pa u identifikuar. Por, tashmë për herë të parë do të identifikohen pronarët e vërtetë.

Hulumtim i 650 gazetarëve

Dosjet u publikuan nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues (ICIJ) në Washington. Asociacioni ka lejuar qasje në të dhënat sekrete në bashkëpunim me partnerët mediatikë, përfshirë “Guardianin”, BBC Panoraman, “Le Monden” dhe “Washington Postin”. Më shumë se 600 gazetarë kanë hulumtuar dokumentet si pjesë e hulumtimit masiv.

“Pandora Papers” përfshijnë vëllimin e fundit – dhe mbase edhe më të madhin – në kuadër të serisë së publikimeve masive të të dhënave financiare që kanë nisur qysh prej vitit 2013 për të shpalosur botën e errët të kompanive offshore.

Deponimi i parave në kompani offshore nuk përbën shkelje ligjore dhe në disa raste mund ta bëjnë për arsye legjitime sigurie. Por, diskrecioni që ofrohet prej parajsave të taksave mund të jetë atraktive për ata që duan t’u shmangen taksave dhe shpëlarësve të parave, disa prej të cilëve janë ekspozuar në dosje.

Të tjerë individë dhe kompani të pasura kishin dërguar asetet e tyre offshore për të shmangur taksat, aktivitet legal që mund t’u kushtojë qeverive me miliarda dollarë amerikanë shmangie taksash.

Pas më shumë se tetëmbëdhjetë muajsh me analizim të të dhënave të interesit publik, “Guardian” dhe mediat e tjera do të publikojnë gjetjet e ditëve të ardhshme, duke nisur me zbulimin e aferave financiare offshore të disa prej liderëve më të fuqishëm në botë.

Liderët e korruptuar të shteteve të BE-së

Ato përfshijnë sundimtarin e Jordanisë, Mbretin Abdullahu i Dytë, i cili sipas dokumenteve, ka një perandori pronash prej 100 milionë dollarësh amerikan në Malibu, Washington dhe Londër. Mbretëria jordaneze ka refuzuar të komentojë, por ka bërë të ditur se nuk do të kishte kurrfarë shkeljesh ligjore nëse të ketë prona nëpërmjet kompanive offshore. Jordania duket se ka bllokuar të dielën uebfaqen e ICIJ-it, pak orë pas publikimit të shkrimeve të para të “Pandora Papers”.

Dosjet spikasin gjithashtu se familja presidenciale e Azerbajxhanit kishte treguar rreth 400 milionë funte prona në Mbretërinë e Bashkuar në vitet e fundit. Alijevët kanë refuzuar t’i komentojnë pretendimet e nxjerra nga dosjet. Ata vazhdimisht janë akuzuar për përvetësim të shumave të larta dhe për zhytje në korrupsion.

“Pandora Papers” kërcënon edhe karrierën e politikave të dy liderëve të shteteve të Bashkimit Evropian. Kryeministri çek, Andrej Babis, i cili do të garojë në zgjedhjet e fundjavës, po përballet me akuzat se kishte përdorur një kompani investimi offshore për të siguruar një pronë prej 22 milionë dollarësh në jug të Francës. Edhe ai ka refuzuar t’i komentojë dosjet.

Dhe në Qipro, edhe vetë qendër kundërthënëse offshore, presidenti Nicos Anastasiades mund të pyetet se pse një firmë që e themeloi ai, akuzohet për fshehje të aseteve të një miliarderi kundërthënës rus prapa një kompanie me pronarë të rrejshëm. Firma mohon se ka kryer ndonjë keqpërdorim, derisa presidenti qipriot thotë se nuk ka rol aktiv në punët e saj prej se mori detyrën e liderit opozitar më 1997.

Përfshirja e ish-kryeministrit Tony Blair

Jo të gjithë të përmendurit në “Pandora Papers” akuzohen për keqpërdorime. Dosjet e rrjedha zbulojnë se Tony dhe Cherie Blair kursyen 312 mijë funte britanike në taksa kur blenë një ndërtesë londineze, pjesërisht në pronësi të familjes së një ministri të njohur të Bahrejnit.

Ish-kryeministri dhe gruaja e tij blenë zyrën në vlerë prej 6.5 milionë funtesh në Marylebone. Megjithëse lëvizja nuk ishte ilegale dhe nuk ka dëshmi se Blairët proaktivisht ishin munduar t’u shmangeshin taksave. Në dosje thuhet se kishte një vrimë ligjore që ua lejonte pronarëve të mos paguanin taksën që është e zakonshme për britanikët e rëndomtë.

Dosjet dëshmojnë bindshëm rolin qendror të Londrës për koordinimin e botës së errët offshore. Kryeqyteti britanik është vend i menaxherëve të kamur, firmave ligjore, kompanive të agjentëve dhe llogaritarëve. Krejt këto ekzistojnë për t’iu shërbyer klientëve ultra të pasur. Shumica janë magnatë të lindur jashtë vendit, të cilët gëzojnë statusin e klientëve që nuk paguajnë taksa për asetet e tyre jashtë vendit.

Presidenti i Ukrainës që fitoi me premtimin për luftimin e korrupsionit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i cili u zgjodh më 2019 me zotimin për spastrimin e korrupsionit në vendin e tij të njohur për ndikimin e madh të oligarkëve në ekonomi, përmendet gjithashtu në dosje. Gjatë fushatës, Zelenskiy transferoi 25 për qind të aksioneve të tij në një kompani offshore një miku të ngushtë, që tani punon si këshilltar i lartë i presidentit, sugjerohet në dosje. Zelenskiy ka refuzuar të komentojë dhe mbetet e paqartë nëse ai ka përfituar personalisht.

Njeriu “kuletë” i Putinit

Presidenti rus, Vladimir Putin, për të cilin Shtetet e Bashkuara besojnë se ka pasuri sekrete, nuk përmendet me emër në dosje. Por shumë njerëz të afërt të tij, përfshirë edhe shokun e ngushtë nga fëmijëria – Petr Kolbin – të cilin kritikët thonë se është “kuleta” e pasurisë së presidentit, dhe një grua, për të cilën thuhet se Putini ishte në lidhje dashurie me të. Asnjëri prej tyre nuk u është përgjigjur kërkesave për koment.

“Pandora Papers” ka shpalosur anën e errët edhe të vetë sistemit offshore. Në një zbulim që do të jetë poshtërues për presidentin Joe Biden, i cili ka premtuar se do ta luftojë ilegalitetin financiar, është parë se vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kthyer në parajsë financiare. Dosjet sugjerojnë se shteti i Dakotës Jugore po është kthyer në çerdhe të miliarda dollarëve pasuri të lidhura me individë që më parë ishin akuzuar për krime serioze financiare.

Sistemi offshore ishte zgjatur deri në Afrikë e Amerikë Latine e Azi. Në Pakistan, Moonis Elahi, ministër i njohur i kryeministrit Imran Kahn, kontaktoi një kompani offshore në Singapor për investimin e 33.7 milionë dollarëve amerikanë.

Në Keni, presidenti Uhur Kenyatta ka portretizuar veten si luftëtar i korrupsionit. Më 2018, Kenyatta i deklaroi BBC-së: “Çdo aset i shërbyesit civil duhet të deklarohet publikisht, me qëllim që njerëzit të mund të shtojnë pyetjen: çka është?”

Ai do të përballet me presionin për të dhënë llogari për pasurinë offshore në vlerë prej 30 milionë dollarësh, përfshirë edhe prona në Londër. Kenyatta nuk u është përgjigjur kërkesave të “Guardianit” për koment.

Gerard Ryle, drejtor i ICIJ-it, ka thënë se politikanët e njohur të cilët organizuan financat e tyre në parajsa taksash kishin aksion në gjendje status-quoe dhe sigurisht se do të jenë pengesë për reformimin e ekonomisë offshore.

“Kur keni liderë botërorë, kur keni politikanë, kur keni zyrtarë publikë, që bashkë përdorin diskrecionin dhe gjithçka për të përdorur këtë botë, atëherë nuk mendoj se do t’ia shohim fundin kësaj pune”, është shprehur ai.

Ai pret që “Pandora Papers” do të kenë ndikim më të madh se publikimet e mëhershme të dosjeve sekrete, jo vetëm për shkak se po zbardhen në kulmin e pandemisë, porse po vijnë në kohën e thellimit të pabarazive dhe taksave të ngritura nga qeveritë për t’u marrë qytetarëve më shumë taksa.

Përktheu: Rexhep Maloku