Dy burra janë përfshirë në një përleshje fizike në një aeroplan të kompanisë Ryanair gjatë fluturimit nga Zagrebi drejt qytetit suedez Malmo, ka raportuar e përditshmja suedeze “Aftonbladet”, e cila publikoi edhe videon e incidentit.
Në pamje shihet një nga pasagjerët, i veshur me maicë të verdhë pa mëngë, duke goditur vazhdimisht një burrë tjetër me bluzë të zezë, i cili përpiqet të mbrohet duke u përkulur dhe shmangur grushtet. Përleshja ndodhi pak para uljes, ndërsa shumica e pasagjerëve ishin të lidhur me rripat e sigurimit.
Sipas dëshmitarëve, konflikti nisi menjëherë pasi u fikën dritat e kabinës, gjë që duket se shtoi panikun mes udhëtarëve.
“Gjithandej kishte gjak. Fëmijët qanin, gratë bërtisnin, njerëzit vraponin drejt pjesës së pasme të aeroplanit”, rrëfeu për “Aftonbladet” një pasagjere.
Ajo shtoi se pasagjeri përpara saj ishte i mbuluar me gjak.
“Jam ende e tronditur, ata pothuajse ranë mbi mua dhe nënën time”, thotë ajo.
Edhe
Aeroplani i Zelenskyt gati sa nuk u godit nga një dron, thotë kryeministri norvegjez
Një pasagjer tjetër e përshkroi skenën si “kaos total”, me bërtitje, shtytje dhe njerëz që përpiqeshin të largoheshin nga dy agresorët.
“Ata po godisnin njëri-tjetrin, binin mbi të tjerët, të gjithë po përpiqeshin të shpëtonin”, ka thënë pasagjeri.
Pas uljes në aeroportin e Malmos, që ndodhi pak para orës 22:30 të shtunën, personeli i sigurisë hyri menjëherë në aeroplan dhe mori kontrollin e situatës. Pasagjerët u evakuuan, ndërsa terminali u vu nën mbikëqyrje policore.
-
Sulmohet me mjet të mprehtë një person në Aeroportin e Prishtinës
-
Shefi i Ryanairit tregon dyshimet për incidentin ku pasagjeri u thith pjesërisht nga dritarja e aeroplanit
-
Panik gjatë fluturimit drejt Munihut, copat e motorit thyejnë dritaren, aeroplani kthehet në Selanik
-
Rrahje në aeroport, pesë persona në pranga