Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pas deklaratës për Ukrainën, ministri britanik i Mbrojtjes largohet nga politika

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se do të tërhiqet nga posti i tij gjatë riorganizimit të ardhshëm të qeverisë në shtator, shkruan BBC.

Ai ka thënë se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, por edhe se nuk do të japë dorëheqje shumë herët për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Wallace ishte sekretar i mbrojtjes nën tre kryeministra dhe luajti rol të rëndësishëm në reagimin e Britanisë ndaj luftës në Ukrainë. Së fundmi, ai zemëroi zyrtarët ukrainas duke folur në margjinat e samitit të NATO-s në Vilnius duke thënë se Ukraina duhet të tregojë mirënjohje për ndihmën ushtarake dhe se ata “nuk janë Amazon”.

Pasi tha këtë, kryeministri Rishi Sunak hodhi poshtë komentet e tij dhe vetë Wallace kërkoi falje, në gjuhën ukrainase, në Twitter.

Megjithatë, kjo nuk është arsyeja e vetme e dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes. Ai ka thënë se po largohej nga politika për shkak të pasojave që ndikuan në familjen e tij për shkak të punës që bënte.