Botë

Orban: Trumpi “e ka ngrënë” Von der Leyenin për mëngjes

Donald Trump dhe Viktor Orban

Donald Trump dhe Viktor Orban

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka deklaruar të hënën se marrëveshja e nënshkruar një ditë më parë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është shumë herë më e keqe sesa marrëveshja tregtare e dakorduar ndërmjet SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në muajin maj.

“Kjo s’është marrëveshje ... Donald Trumpi ‘e ka ngrënë’ Von der Leyenin për mëngjes, kjo është ajo se çfarë ka ndodhur dhe ne e kemi pritur një gjë të tillë”, ka theksuar Orban.

“Presidenti amerikan është peshë e rëndë kur bie fjala te negociatat, ndërsa presidentja është peshë më e lehtë”, ka vazhduar ai. 

Lideri hungarez është përplasur vazhdimisht me liderët e Bashkimit Evropian, duke e kërcënuar rishtazi bllokun se do ta sabotojë buxhetin e ri të BE-së, në qoftë se fondet e pezulluara për vendin e tij nuk zhbllokohen, ka raportuar BBC.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë arritur marrëveshje të rëndësishme tregtare mes SHBA-së dhe BE-së, pas takimeve intensive të zhvilluara në Skoci të dielën.

Gjatë konferencës për shtyp, Trumpi ka bërë të ditur detaje nga marrëveshja, duke theksuar angazhimin e BE-së për të blerë energji amerikane në vlerë prej 750 miliardë dollarëve, si dhe për të investuar rreth 600 miliardë dollarë shtesë në tregjet amerikane.

Krahas kësaj, marrëveshja ia ka dalë të shmangë pasojat e luftës së mundshme tregtare, duke ulur tarifat për mallrat evropiane nga 30 për qind sa ishte projektuar në fillim në 15 për qind.