Lideri opozitar izraelit, Yair Lapid, ka kërkuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu të shtunën që ta lërë politikën anash dhe të formojnë një qeveri uniteti, për shkak të situatës emergjente.
Sipas tij, qeveria e unitetit është e domosdoshme për të “menaxhuar me kampanjën e vështirë, komplekse dhe të zgjatur” kundër Izraelit.
“Sapo jam takuar me kryeministrin Netanyahu. E kam njoftuar se në situatën aktuale emergjente duhet lënë anash të gjitha dallimet, të formojmë bashkë me të një qeveri emergjente, profesionale e të kufizuar, që do të menaxhojë me kampanjën e vështirë, komplekse dhe të zgjatur ndaj nesh”, ka thënë Lapid.
“Shteti i Izraelit ka përjetuar sulm masiv sot. Jemi të lënduar, jemi të gjithë të mllefosur. Por shtetet dhe luftërat s’janë për t’u menaxhuar me dhimbje dhe tërbim, por me qetësi dhe me strategji. Duhet ta lëmë politikën anash, në favor të një qeverisjeje emergjente që do të udhëhiqte këtë kampanjë me vendosmëri dhe nuk do të angazhohej në asgjë tjetër deri sa ta kompletojmë fitoren ndaj armiqve tanë”, ka shtuar ai në një konferencë për media.
Nga sulmet e papritura të militantëve palestinezë të shtunën kanë humbur jetën rreth 100 persona në Izrael. Nga kundërpërgjigja e menjëhershme, rreth 200 persona janë vrarë në Gaza.