Numri i civilëve të vrarë ukrainas që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, ka kaluar shifrën 3000, ka njoftuar Zyra për të Drejta të Njeriut e Kombeve të Bashkuara (OHCHR) të hënën, raporton BBC.
Sipas OHCHR-së shifra totale e civilëve të vrarë në Ukrainë ka arritur në 3153, por vlerësohet se numri është dukshëm më i madh.
Shifra më e ulët mund të jetë për shkak të vështirësive për të marrë informata nga zona të caktuara në Ukrainë. Po ashtu nuk është bërë verifikimi i numrit të madh të viktimave civile në vende siç është Mariupoli, qytet i rrethuar.
Mariupoli është përballë me sulme të vazhdueshme që nga fillimi i luftës. Këshilli i Qytetit llogarit se afro 90 për qind e ndërtesave në këtë qytet janë shkatërruar.
Në pamjet satelitore janë identifikuar varre masive në afërsi të Mariupolit, ku përmbajnë afro 200 varre.
Autoritetet lokale llogarisin se një numër i madh i civilëve janë vrarë në bombardimet në qytet. Madje ishte llogaritur se mbi 20 mijë persona janë vrarë vetëm në Mariupol.