Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

OKB-ja voton për hartën e re të botës që pasqyron madhësinë e vërtetë të Afrikës

KOmbet e Bashkuara

Foto: BBC

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka votuar për zëvendësimin e hartës tradicionale të botës me një hartë që pasqyron më saktë madhësinë e Afrikës.

Rezoluta “Correct the Map“, e sponsorizuar nga Togoja dhe e mbështetur nga vendet anëtare të Bashkimit Afrikan (AU), u miratua me mbështetjen e 164 vendeve, përfshirë Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar. SHBA-ja ishte i vetmi vend që votoi kundër, ndërsa gjashtë vende abstenuan.

Votimi në OKB nuk është detyrues, por do të sjellë ndryshime në hartat që përdoren nga institucionet në mbarë botën.

Harta e Mercatorit, e cila ka qenë në përdorim të gjerë që nga shekulli XVI, është kritikuar pasi e paraqet Afrikën me një madhësi të ngjashme me Grenlandën, edhe pse Afrika është 14 herë më e madhe.

Kritikët thonë se kjo çon në minimizimin e nevojave për zhvillim dhe potencialit të vendeve pranë ekuatorit.

Harta e Mercatorit u hartua në vitin 1569 nga hartografi flamand Gerardus Mercator për të ndihmuar eksploruesit evropianë të lundronin nëpër botë.

Shtrembërimi i hartës së tij është rezultat i faktit se është e pamundur të paraqitet me saktësi sipërfaqja e një globi në një hartë dydimensionale.

Sa herë që vizatohet një hartë e botës, duhet të bëhen kompromise.

Harta e Mercatorit tregon lakimin e Tokës duke i bërë vendet pranë ekuatorit të duken më të vogla nga sa janë, ndërsa vendet më pranë poleve shfaqen më të mëdha.

Në përpjekje për ta korrigjuar këtë, një ekip hartografësh krijoi në vitin 2018 një hartë me sipërfaqe të barabartë, të cilën e quajtën projeksioni “Equal Earth“.

Në shkurt, 54 vendet anëtare të Bashkimit Afrikan e miratuan atë dhe thanë se ajo “pasqyron më saktë madhësitë e të gjitha kontinenteve, veçanërisht të Afrikës“.

Grupi i fushatës online #CorrectTheMap tha: “Në Afrikë mund të futni Shtetet e Bashkuara, Kinën, Indinë, Japoninë, Meksikën dhe pjesën më të madhe të Evropës dhe ende do të mbetej hapësirë tokësore”.

Përpara votimit të së premtes, ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey, i tha agjencisë së lajmeve Reuters: “Një botë e drejtë fillon me një hartë të drejtë”.

“Një hartë nuk është kurrë neutrale. Ajo formëson perceptimet, ndikon në mënyrën se si kuptohet vendi i popujve dhe kontinenteve në botë”, kishte thënë ai më herët në seancën e OKB-së. 

Ai kishte mbështetjen e ministrit të Jashtëm francez Jean-Noel Barrot, i cili tha se Ministria e tij do të ndalonte përdorimin e hartës së Mercatorit.

“Ndryshimi i hartës, padyshim, nuk e ndryshon botën. Por korrigjimi i një paraqitjeje që e shtrembëron atë është tashmë një akt i së vërtetës“, tha ai.

Por Yaryna Ferencevych,  përfaqësuese e SHBA-së në OKB, tha se rezoluta përqeshte punën dhe qëllimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Në vend që të fokusohet në problemet e vërteta të paqes ndërkombëtare, prosperitetit apo marrëdhënieve të mira, ky organ po debaton për projekte hartografike të shekullit XVI dhe rolin e tyre në promovimin e reparacioneve dhe ‘drejtësisë njohëse’“, tha ajo.

Në mars, SHBA-ja ishte gjithashtu kritike kur u miratua një rezolutë që e shpalli tregtinë transatlantike të skllevërve “krimin më të rëndë kundër njerëzimit“.

“Paraqitja e gabuar e Afrikës në hartat e botës nuk është vetëm një gabim hartografik – është një çështje e narrativës“, i tha BBC-së, Lerato Mogoatlhe nga Africa No Filter, një prej grupeve që qëndrojnë prapa fushatës për heqjen dorë nga harta e Mercatorit.

Ajo tha se kjo ishte pjesë e përpjekjeve për t'i dhënë fund “keqinformimit dhe dezinformimit më jetëgjatë në botë“ për Afrikën.

Për gjeografin kenian Kioko Muendo, harta e Mercatorit ka minimizuar në mënyrë të tërthortë burimet e mëdha të kontinentit afrikan, popullsinë dhe mundësitë për investime.

“Hartat janë më shumë se thjesht udhërrëfyes për udhëtarët – ato formësojnë mënyrën se si rajonet perceptohen politikisht dhe ekonomikisht“, i tha ai BBC-së.