FIFA ka thënë se “askush nuk po e shet futbollin”, ndërsa u zotua të vazhdojë planin kundërthënës për të shitur aksione në garat e saj tek investitorët privatë.
UEFA, që drejton futbollin në Evropë, votoi të enjten për të bojkotur Kupën e Botës dhe ngjarjet tjera të FIFA-s, nëse plani do të vazhdonte.
CONCACAF, që është përgjegjës për futbollin në Amerikën e Veriut dhe Qendrore tha se 41 federatat nacionale anëtare gjithashtu “refuzuan” propozimin e bërë nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
FIFA organizon futbollin në nivel global, ndërsa Infantino do të kishte nevojë që 106 nga 211 anëtarët e FIFA-s të votonin në favor të propozimit, që ai të miratohej. UEFA dhe CONCACAF së bashku përbërjnë 96 nga këto vende, përkatësisht anëtare të FIFA-s.
Në një deklaratë të lëshuar të premten, FIFA pretendoi se procesi i konsultimit ishte “ndërprerë nga raportimet e pasakta të mediave”.
Edhe
Dorëzohet FIFA, heq dorë nga plani kundërthënës
“Ne i respektojmë reagimet dhe shqetësimet e shprehura në publik dhe riafrimojmë angazhimin tonë për një konsultim të hapur dhe demokratik”, thuhet në deklaratën e FIFA-s.
“Ne do të vazhdojmë me këtë proces konsultimi për të siguruar që çdo federatë nacionale të ketë aftësinë të votojë bazuar në fakte. Askush nuk po e shet futbollin. Nuk është diçka që FIFA do ta merrte ndonjëherë në konsideratë”, shkruan tutje FIFA.
FIFA dëshiron të krijojë një degë tregtare për të drejtuar ngjarjet e saj kryesore, përfshirë Kupën e Botës. Dhe investitorët e jashtë do të jenë në gjendje të blejnë aksione në të.
Sipas FIFA-s, palët e treta do të bëjnë investime minore, jo kontrolluese në një degë të re që do të quhet “FIFA Forward Enterprise (FFE)”.
Të premten FIFA tha se FFE ishte propozuar për të siguruar që të gjitha federatat nacionale anëtare të saj të kenë mundësinë të marrin pronësi domethënëse të mundësisë tregtare në vendet e tyre përkatëse.
“Kjo nuk bëhet në llogari të shpirtit të qeverisjes së FIFA-s apo vetë futbollit”, shkroi tutje FIFA.
Edhe
UEFA bojkton Botërorin nëse Infantino nuk heq dorë nga planet
UEFA e ka akuzuar FIFA-n se po e përdor futbollin për të pasuruar veten dhe miqtë e saj.
Infantino më parë u shkroi federatave nacionale duke u thënë se do të marrin 40 milionë dollarë nëse mbështesin propozimin e tij kundërthënës. Ai vendosi afat deri më 19 shtator për të pranuar planet, nëse federatat nacionale duan të kenë qasje në një shumë fillestare prej 20 milionë dollarësh.
Nëse plani miratohet, “Thrive Eternal” do të udhëheqë grupin e investitorëve të propozuar për FFE. Kjo kompani amerikane është e themeluar nga Joshua Kushner, vëllai Jaredit, dhëndrrit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
UEFA ka udhëhequr kundërshtimin ndaj planit të Infantinos, ndërsa mori përkrahje nga CONCACAF.
“Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si produkt investimi”, ka thënë UEFA të enjten, pas një mbledhje të federatave nacionale anëtare të saj.
“Është një nga trashëgimitë më të mëdha sportive të futbollit. Është ndërtuar gjatë gjeneratave nga lojtarët, ekipet përfaqësuese dhe mbështetësit në çdo kontinent. Asnjë pjesë e saj nuk duhet t’u dorëzohet kurrë investitorëve privatë. Kupa e Botës nuk është në shitje”.
Edhe
Infantino dëshiron ta shesë Botërorin, UEFA kundërshton
Edhe konfederata aziatike tha se ishte e shqetësuar nga veprimet e njëanshme të FIFA-s dhe se ato minojnë themelet e futbollit kontinental.
Personalitet më të shquara të futbollit kanë kundërshtuar planin e FIFA-s, duke thënë se futbolli duhet të jetë për njerëzit.