Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin (WFP) ka bërë të ditur të shtunën se asnjë ndihmë ushqimore nuk ka hyrë në Gazën veriore që nga 1 tetori.
Programi Botëror i Ushqimit ka thënë se kalimi parësor kufitar në zonën e shkatërruar nga lufta ishte mbyllur për rreth dy javë, duke paralajmëruar se operacioni tokësor i vazhdueshëm i Izraelit ka një ndikim katastrofik në sigurinë ushqimore për mijëra familje palestineze atje, raporton AP.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo"Veriu është në thelb i ndaluar dhe ne nuk jemi në gjendje të operojmë atje”, ka thënë Antoine Renard, drejtori i WFP për territoret palestineze.
Shqetësimet për një krizë urie janë rritur në Gaza afërsisht një muaj pasi hetuesi i pavarur i OKB-së për të drejtën e ushqimit akuzoi Izraelin për kryerjen e një "fushate urie" kundër palestinezëve.
Izraeli ka mohuar akuza të tilla dhe ka insistuar se ka lejuar ushqime dhe ndihma të tjera në Gaza në sasi të konsiderueshme.
“Izraeli nuk e ka ndalur hyrjen apo koordinimin e ndihmave humanitare që hyjnë nga territori i tij në Rripin verior të Gazës. Si dëshmi, ndihma humanitare e koordinuar nga COGAT dhe organizatat ndërkombëtare do të vazhdojë të hyjë në Rripin verior të Gazës edhe ditën e ardhshme”, ka thënë në një deklaratë të mërkurën COGAT, organi ushtarak izraelit që mbikëqyr shpërndarjen e ndihmave.
Mirëpo WFP-ja ka thënë se pikat e saj të shpërndarjes së ushqimit, si dhe kuzhinat dhe furrat e bukës në Gazën veriore, janë detyruar të mbyllen për shkak të sulmeve ajrore, operacioneve tokësore ushtarake dhe urdhrave të evakuimit. Sipas WFP-së, e vetmja furrë buke funksionale në Gazën e Veriut, e mbështetur nga ajo, mori flakë pasi u godit nga një municion shpërthyes.