Zyrtarët e lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se tërheqja e fondeve për agjencinë e saj kryesore të ndihmave në Gazë, UNRWA, mund të çojë në “kolapsin e sistemit humanitar”.
Këta zyrtarë reaguan pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe shtetet tjera ndërprenë fondet për shkak të dyshimeve se një pjesë e stafit të OKB-së ka qenë e përfshirë në sulmet e Hamasit më 7 tetor në Izrael.
OKB-ja shkarkoi disa anëtarë lidhur me akuzat. Ka thënë se një hetim në agjencinë e saj për refugjatët palestinezë, është duke u zhvilluar.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përshkruar UNRWA-në si “të lidhur me Hamasin”, duke thënë që Izraeli ka “zbuluar se 13 punëtorë të UNRWA-s morën pjesë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në masakrën e 7 tetorit”.
Megjithatë SHBA-ja, donatori më i madh i UNRWA-së, ka thënë se dëshiron që agjencia ta vazhdojë punën e saj.
Edhe
Izraeli shkatërron selinë e OKB-së në Jerusalem
“Nuk ka asnjë agjenci tjetër humanitare në Gazë që mund të sigurojë ushqim, ujë dhe ilaçe në atë shkallë që bën UNRWA”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të SHBA-së, Matthew Miller. “Ne duam të shohim punën e tyre të vazhdojë, prandaj është kaq e rëndësishme që Kombet e Bashkuara ta marrin seriozisht këtë çështje, të hetojnë, që kushdo që është përfshirë në keqbërje të mbajë përgjegjësi”.
Në sulmin e 7 tetorit, personat e armatosur nga Hamasi kanë vrarë 1,300 njerëz dhe kanë marrë peng 250 të tjerë.
Izraeli nisi ofensivë kundër Hamasit si kundërpërgjigje dhe që atëherë ka vrarë më shumë se 26,700 njerëz në Gazë, sipas ministrisë së shëndetësisë e udhëhequr nga Hamasi.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka thënë se një hetim i plotë i pavarur mbi UNRWA-në është duke u zhvilluar.
Një zëdhënës i UNRWA-s ka thënë së nëse financimi nuk vazhdon, agjencia nuk do mund të vazhdojë operacionet e saj përtej fundit të shkurtit.
“Akuzat për përfshirjen e stafit të UNRWA-s në sulmet e 7 tetorit në Izrael janë të tmerrshme”, thuhet në një deklaratë të një komiteti të OKB-së. “Siç ka thënë sekretari i përgjithshëm, secili punonjës i OKB-së i përfshirë në aktet e terrorit do të mbahet përgjegjës. Megjithatë, ne nuk duhet të ndalojmë një organizatë të tërë që të përmbushë mandatin për t’u shërbyer njerëzve në nevojë. Tërheqja e fondeve nga UNRWA është e rrezikshme dhe mund të rezultojë në shembjen e sistemit humanitar në Gazë, me pasoja të mëdha humanitare dhe të të drejtave të njeriut në territorin e pushtuar dhe në të gjithë rajonin”, thuhet në deklaratë. “Bota nuk mund t’i braktisë njerëzit e Gazës”.
Gjithashtu të martën, koordinatori humanitar i OKB-së për Gazën ka thënë se asnjë organizatë tjetër nuk mund të zëvendësojë UNRWA-në, për shkak të “njohurive” të agjencisë sa i përket popullsisë së Gazës.
Edhe
UNRWA: Izraeli po shkel të drejtën ndërkombëtare duke kufizuar ndihmat në Gazë
Vendet e tjera që kanë ndërprerë financimin përfshijnë Gjermaninë, Suedinë dhe Japoninë.
Guterres të martën, u takua me përfaqësues të më shumë se 30 shteteve donatore dhe raportohet se u ka kërkuar që të rishqyrtojnë vendimin.