Botë

Shefi i Fondacionit Humanitar të Gazës mbron operacionin pas vrasjes së qindra palestinezëve

Gaza

Foto: Associated Press

Drejtuesi i Fondacionit Humanitar të Gazës (FHG), Johnnie Moore, ka thënë se nuk e mohon që ka pasur të vdekur afër pikave të ndihmës në Rripin e Gazës, ndonëse ka theksuar se “100 për qind e këtyre viktimave po u atribuohen vendndodhjes afër FHG-së” dhe se sipas tij “kjo nuk është e vërtetë”.

Ai i ka akuzuar Kombet e Bashkuara (OKB) dhe organizatat e tjera ndërkombëtare për shpërndarje të informacionit që “s’mund ta verifikojnë”, ka raportuar BBC.

Sistemi i shpërndarjes së ndihmave nga FHG-ja është dënuar nga agjencitë ndërkombëtare, përderisa të premten, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e cilësoi atë “të pasigurt”.

“Çdo operacion që kanalizon civilë të dëshpëruar në zona të militarizuara është në vetvete i pasigurt. Kërkimi për ushqim nuk duhet kurrë të jetë një dënim me vdekje”, ka thënë shefi i OKB-së.

Në Ministrinë e Shëndetësisë së Gazës, që drejtohet nga Hamasi, kanë njoftuar se më shumë se 500 palestinezë janë vrarë dhe rreth 4,000 të tjerë janë plagosur gjatë përpjekjeve për të pranuar ndihmat, që kur Fondacioni Humanitar i Gazës mori përsipër shpërndarjen e tyre.

Brenda pak ditësh nga fillimi i operacioneve të FHG-së në fund të muajit maj, dhjetëra palestinezë u vranë në incidente të ndara më datat 1 dhe 3 qershor, duke nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare.

Që nga atëherë, OKB-ja dhe organizatat e tjera humanitare kanë shprehur shqetësim për raportimet pothuajse të përditshme të palestinezëve të vrarë pranë pikave të ndihmës të FHG-së, të cilat ndodhen brenda zonave ushtarake izraelite.

Dëshmitarët okularë dhe punonjësit mjekësorë kanë cituar e përshkruar disa raste të ndryshme kur forcat izraelite kanë hapur zjarr mbi turmat afër pikave të ndihmës.

Gazeta izraelite "Haaretz" kishte publikuar të premten një artikull ku ushtarë të paidentifikuar të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë pohuar se kishin marrë urdhra për të gjuajtur në drejtim të civilëve të paarmatosur pranë pikave të shpërndarjes së ndihmës, me qëllimin për t’i larguar apo shpërndarë ata, e që shpesh kishin përfunduar me vrasjen e tyre. 

Ndërkaq, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka hedhur poshtë këto pretendime, tek i ka cilësuar ato si “gënjeshtra keqdashëse”.

Në Forcat Mbrojtëse të Izraelit bënë të ditur se “nuk është dhënë asnjë urdhër që forcat të gjuajnë qëllimisht në drejtim të civilëve, përfshirë ata që i afrohen qendrave të shpërndarjes”.