Oficerë dhe ushtarë të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë thënë për gazetën izraelite “Haaretz” se janë urdhëruar të hapin zjarr ndaj civilëve palestinezë afër pikave të shpërndarjes së ushqimit në Gazë, edhe kur s’kishte asnjë rrezik. Qindra palestinezë janë vrarë, gjë që e ka shtyrë Prokurorinë të kërkojë hapjen e hetimeve për mundësinë e kryerjes së krimeve të luftës. E kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, si dhe ministri i tij i Mbrojtjes, Israel Katz, i kanë cilësuar të rreme këto pretendime
Ushtarë izraelitë në Rripin e Gazës kanë thënë për gazetën izraelite “Haaretz” se ushtria ka shtënë qëllimisht në drejtim të civilëve palestinezë afër pikave të ndihmës në muajin e fundit.
Bisedat me oficerët dhe ushtarët kanë nxjerrë në pah detaje se si komandantët izraelitë i kanë urdhëruar trupat që të gjuajnë drejt turmave për t’i shpërndarë, edhe pse ishte e qartë se civilët nuk përbënin ndonjë rrezik. Të shtënat disa herë kanë përfunduar me viktima.
Një ushtar e ka përshkruar situatën si shkelje totale të kodeve etike nga ana e Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në enklavën palestineze.
Bazuar në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, të paktën 549 persona kanë vdekur afër pikave të ndihmës, përfshirë nëpër zona të tjera ku banorët po i prisnin kamionët e Kombeve të Bashkuara që nga data 27 maj. Ndërkaq, pretendohet se rreth 4,000 persona janë plagosur, porse numri i saktë i të vrarëve dhe i të plagosurve nga të shtënat e IDF-së mbetet ende i paverifikuar.
Gazeta “Haaretz” ka mësuar se prokurori i përgjithshëm ushtarak ka urdhëruar Mekanizmin e Vlerësimit të Fakteve të Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së – një organ i ngarkuar për të shqyrtuar incidente që mund të përbëjnë shkelje të mundshme të ligjeve të luftës – të hetojë krimet e dyshuara të luftës në këto pika të ndihmës.
Në një deklaratë të lëshuar pas publikimit të këtij raporti hetimor, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, i hodhën poshtë pretendimet, duke i quajtur “akuza të rreme dhe të urrejtjes”.
Qendrat e ndihmës të Fondacionit Humanitar të Gazës (FHG) filluan të funksionojnë përgjatë Rripit të Gazës në fund të muajit maj.
Rrethanat e krijimit dhe financimit të këtij fondacioni mbeten kryesisht të panjohura: dihet vetëm se është themeluar nga Izraeli në bashkëpunim me amerikanë dhe kompani private të sigurisë. Drejtori ekzekutiv i fondacionit është një udhëheqës evangjelist i afërt me presidentin amerikan Donald Trump dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
FHG-ja operon katër pika të ushqimit - tri në Gazën jugore dhe një në Gazën qendrore – të njohura në IDF si “qendra të shpejta të shpërndarjes” (Mahpazim).
Dhjetëra mijëra banorë të Gazës shkojnë çdo ditë për të marrë ushqim nga këto pika.
Në kundërshtim me premtimet fillestare të fondacionit, shpërndarja është kaotike - turmat vërshojnë drejt grumbujve të kutive. Që nga hapja e këtyre qendrave të shpërndarjes së shpejtë, “Haaretzi” ka numëruar të paktën 19 incidente të shtënash pranë tyre. Edhe pse identiteti i autorëve nuk është gjithmonë i qartë, IDF-ja nuk lejon persona të armatosur në këto zona humanitare pa dijeninë e saj.
Këto qendra zakonisht hapen vetëm për një orë në mëngjes. Sipas oficerëve dhe ushtarëve që kanë shërbyer në ato zona, IDF-ja gjuan mbi njerëz që afrohen para orarit të hapjes për t’i mbajtur ata larg, ose përsëri pas mbylljes për t’i shpërndarë. Disa nga incidentet e shtënave ndodhën natën – përpara hapjes – gjë që mund të ketë bërë të vështirë për civilët që t’i shohin zonat e shënjuara.
“Është një fushë vrasjeje”, ka thënë një ushtar. “Atje ku isha unë, vriteshin nga një deri në pesë njerëz çdo ditë. Ata trajtohen si një forcë armike – pa masa për kontrollin e turmës, pa gaz lotsjellës – vetëm zjarr i drejtpërdrejtë me gjithçka të imagjinueshme: mitralozë të rëndë, hedhës granatash, mortaja. Pastaj, kur qendra hapet, të shtënat ndalojnë dhe ata e dinë që mund të afrohen. Mjeti jonë i komunikimit është arma e zjarrit”.
“Hapim zjarr herët në mëngjes nëse dikush përpiqet të futet në radhë nga disa qindra metra larg, dhe ndonjëherë i sulmojmë nga afër. Por nuk ka asnjë rrezik për trupat tona. Nuk jam në dijeni të asnjë rasti ku është kthyer zjarri. Nuk ka armik, nuk ka armë”, ka shtuar ushtari izraelit.
Oficerë të IDF-së kanë thënë për “Haaretz” se ushtria nuk e lejon opinionin publik në Izrael apo jashtë tij, që të shohë pamje të asaj që ndodh përreth qendrave të shpërndarjes së ndihmës. Ata mendojnë se IDF-ja ka arritur ta kthejë Gazën në një zonë, ku nuk vlejnë më rregullat minimale e as jeta e njeriut.
“Gaza nuk është më në interesin e askujt”, ka thënë një rezervist që përfundoi shërbimin këtë javë në pjesën veriore të Rripit. “Është kthyer në një vend me rregullat e veta. Humbja e jetës njerëzore nuk do të thotë asgjë. Nuk quhet më as ‘incident i pafat’, siç thoshin dikur”.
Një oficer që shërben në detajet e sigurisë së qendrës shpërndarëse ka konsideruar se qasja e IDF-së ka mangësi të theksuara. “Të punosh me një popullatë civile kur mënyra jote e vetme e ndërveprimit është hapja e zjarrit – kjo është jashtëzakonisht problematike, për të mos thënë më keq”, ka thënë ai për “Haaretz”. “S’është as etike e as moralisht e pranueshme për njerëzit që të arrijnë, ose të dështojnë të arrijnë, një (zonë humanitare) nën zjarrin e tankeve, snajperëve ose predhave”.
Oficeri ka shpjeguar se si siguria nëpër këto qendra organizohet në disa shkallë. Brenda qendrave të shpërndarjes së ndihmave dhe “korridorit” ndodhen punëtorët amerikanë, teksa IDF-ja s’është e lejuar të operojë në atë hapësirë. Një shtresë më e jashtme është e përbërë nga mbikëqyrësit palestinezë, disa prej tyre të armatosur dhe të asociuar me grupin paraushtarak Abu Shabab. Perimetri i sigurisë së IDF-së përfshinë tanke, snajperë dhe mortaja, qëllimi i të cilave, sipas oficerëve, është të mbrojnë ata që janë të pranishëm dhe të garantojnë procesin e shpërndarjes së ndihmave.
“Gjatë natës, ne hapim zjarr për të sinjalizuar popullatën se kjo është zonë luftimesh dhe se s’duhet të afrohen”, ka thënë oficeri. “Njëherë mortarët ndaluan së gjuajturi, dhe ne pamë njerëz që filluan të afroheshin. Kështu që vazhduam të shtënat për t’ua bërë me dije se nuk iu lejohet. Në fund, njëra nga predhat ra mbi një grup njerëzish”.
“Ne gjuajtëm me mitralozë prej tankeve dhe hodhëm granata. Kishte një incident ku një grup i civilëve ishte goditur teksa po përparonte nën mbulesën e mjegullës. S’ishte e qëllimshme, por këto gjëra ndodhin”, ka thënë ai për raste të tjera.
Ai ka theksuar se ka pasur gjithashtu viktima dhe të lënduar në mesin e ushtarëve izraelitë në këto incidente. “Një brigadë luftarake s’i ka mjetet e duhura për të përballuar një popullatë civile në zonën e luftës. Të gjuash me predha për t’i mbajtur njerëzit e uritur sa më larg qendrës s’është as profesionale e as njerëzore. E di që ka anëtarë të Hamasit në rrethin e tyre, por ka edhe persona që thjesht duan t’i marrin ndihmat. Si shtet, ne kemi përgjegjësi që kjo të ndodhë në kushte të sigurta”, ka thënë oficeri izraelit.
Oficeri ka theksuar një tjetër problematikë lidhur me qendrat e shpërndarjes – mungesa e qëndrueshmërisë së tyre. Banorët nuk e dinë se kur këto qendra do të hapen, gjë që e rrit presionin ndaj këtyre pikave dhe i kontribuon dëmtimit të civilëve.
“Nuk e di se kush po i ndërmerr këto vendime, por ne i japim udhëzime popullatës dhe pastaj ose nuk i zbatojnë fare, ose i ndryshojnë”, ka vazhduar ai. “Në fillim të muajit, ka pasur raste kur jemi njoftuar se një mesazh është shpërndarë dhe i ka lajmëruar banorët se qendra do të hapet pasdite, teksa ata janë paraqitur herët në mëngjes duke u rreshtuar në pritje të ushqimit. Për shkak se ata mbërritën në orët e hershme, shpërndarja u anulua atë ditë”.
Bazuar në dëshmitë e komandantëve dhe luftëtarëve, Forcat Mbrojtëse të Izraelit ishin të supozuara të mbanin distancë të sigurt nga zonat dhe pikat e shpërndarjes së ushqimit për popullatën palestineze. Sidoqoftë, veprimet e trupave në terren kanë mospërputhje të dukshme me planet operacionale.
“Sot, çdo kontraktues privat që punon në Gaza me pajisje inxhinierike merr 5,000 shekel [rreth 1,500 dollarë] për çdo shtëpi që shkatërron”, ka thënë një luftëtar veteran. “Po bëhen të pasur. Nga perspektiva e tyre, çdo moment kur nuk shkatërrojnë shtëpi është humbje parash, dhe forcat duhet të sigurojnë punën e tyre. Kontraktuesit, që veprojnë si një tip sherifi, shkatërrojnë çka do që duan përgjatë gjithë frontit”.
Si rezultat, fushata shkatërruese e kontraktorëve i sjell afër pikave të shpërndarjes ose përgjatë rrugëve që përdoren nga kamionët e ndihmave.
“Në mënyrë që kontraktorët të mbrojnë veten, shpeshherë fillon ndonjë incident me të shtëna, ku njerëzit vriten”, ka thënë ai. “Këto janë zona që palestinezëve u lejohet të qëndrojnë – jemi ne ata që iu kemi afruar dhe kemi vendosur se ata na rrezikojnë neve. Prandaj, që një kontraktor të fitojë edhe 1,500 dollarë dhe të rrëzojë një shtëpi, shihet si e pranueshme për të vrarë njerëz të cilët po kërkojnë vetëm ushqim”.
Një emër që përmendet shpesh gjatë dëshmive është ai i gjeneralit Yehuda Vach, komandant i Divizionit 252 në IDF. “Haaretz” pati raportuar më parë se si Vach e ktheu korridorin Netzarim në një rrugë vdekjeprurëse dhe dyshohet se urdhëroi shkatërrimin e një spitali në Gazë, pa autorizim. Tani, një zyrtar brenda divizionit ka thënë se Vach vendosi ta shpërndante turmën e palestinezëve që prisnin ndihmat duke hapur zjarr mbi ta.
“Ne zakonisht i shohim ata prej qindra metrash larg; nuk është një situatë ku ata paraqesin rrezik për ne”, ka thënë një ushtar.
Në një incident, ushtari ishte urdhëruar ta hidhte një predhë drejt një turme. “Teknikisht, supozohej të ishte paralajmëruese. Por, hedhja e predhave është bërë praktikë standarde. Çdo herë që gjuajmë, ka viktima dhe vdekje, dhe kur dikush pyet pse është e nevojshme një predhë, asnjëherë nuk ka përgjigje të mirë. Nganjëherë, vetëm ta bësh këtë pyetje, është bezdisëse për komandantët”, ka thënë ai.
“Kjo që quhet vrasje e njerëzve të pafajshëm – po normalizohet”, ka thënë një tjetër zyrtar i lartë në atë zonë.
Ushtria izraelite, pas raportit, ka mohuar akuzat duke thënë se ushtria nuk jep instruksione për të qëlluar direkt mbi civilë, përfshirë ata afër qendrave të shpërndarjes së ndihmave. Mes tjerash, zyrtarë ushtarakë kanë shtuar se çfarëdo pretendimi apo devijimi nga ligji apo direktivat e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit do të hetohet dhe do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme.