Botë

UNRWA: Izraeli po shkel të drejtën ndërkombëtare duke kufizuar ndihmat në Gazë

Gaza

Zyrtarja e lartë e OKB-së për refugjatët palestinezë, Natalie Boucly, ka paralajmëruar se Izraeli po shkel të drejtën ndërkombëtare duke kufizuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gazë, ku popullsia përballet me mungesë kritike ushqimi dhe furnizimesh jetike. Ajo ka theksuar se roli i UNRWA-së mbetet i pazëvendësueshëm, duke mbështetur 5.9 milionë refugjatë me ushqim, kujdes shëndetësor dhe shërbime sociale. Boucly ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë BE-në dhe SHBA-në, që të shtojnë presionin mbi Izraelin dhe ka paralajmëruar për rrezikun e humbjes së mundësisë për një zgjidhje paqësore.

Izraeli po shkel të drejtën  ndërkombëtare duke vazhduar kufizimet në hyrjen e ndihmave humanitare në Gazë, ku popullsia po përballet me mungesë kritike të ushqimit dhe furnizime jetike teksa dimri po afron, ka deklaruar zyrtarja e lartë në agjencinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA), Natalie Bouchly.

Në një intervistë gjatë vizitës në Bruksel, Boucly, ka thënë se e gjithë bota, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të rrisin presionin mbi qeverinë e Izraelit për të siguruar hyrjen e pakufizuar të ndihmave në Gazë. UNRWA ka mjaftueshëm ushqim, tenda dhe gjëra të tjera thelbësore për të mbushur deri në 6.000 kamionë, ka shtuar ajo, por ka thënë se shkaku i kufizimeve vetëm rreth gjysma e 500-600 kamionëve të nevojshëm çdo ditë po hyjnë në territorin e shkatërruar.

Boucly ka akuzuar Izraelin se “nuk po i përmbahej të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtave të njeriut”, duke iu referuar Konventës së Katërt të Gjenevës, si dhe opinionit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që tha se Izraeli duhej të siguronte që populli palestinez të kishte furnizimet jetike. I njëjti vendim i GJND-së, i lëshuar më 22 tetor, arriti në përfundimin se Izraeli ka detyrim për të bashkëpunuar me UNRWA-në.

Gjykata nuk ka gjetur dëshmi se UNRWA-së i mungonte neutraliteti, pretendime të bëra vazhdimisht nga qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

E themeluar në vitin 1948 për të ndihmuar 700.000 palestinezë që u detyruan të largohen nga vendi i tyre, UNRWA ishte menduar fillimisht si një organizatë e përkohshme. Gati tetë dekada më vonë, ajo mbetet një ofrues i rëndësishëm i arsimit, kujdesit shëndetësor, shërbimeve sociale dhe ndihmës humanitare për 5.9 milionë refugjatë të regjistruar në rajon.

“Nuk është koha që UNRWA të shembet”, ka thënë Boucly. “Ne jemi të pazëvendësueshëm sepse askush tjetër nuk mund ta zëvendësojë punën tonë”.

Në Bruksel, ajo pritej të kërkonte gjithashtu 200 milionë dollarë për të mbuluar mungesën e financimit deri në mars.

“Ne ishte menduar të ishim të përkohshëm. Arsyeja që ne jemi ende këtu është dështimi i përbashkët i komunitetit ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje politike për këtë konflikt”, ka thënë ajo.

Boucly ka deklaruar se për herë të parë që nga Marrëveshjet e Oslos në 1993, duket se ka shpresa reale për të bërë përparim drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme politike. Duke nënvizuar se OKB-ja nuk vendos për rezultatet politike, ajo ka paralajmëruar që të mos lejohet të humbë “kjo mundësi e veçantë” për paqe.