Së paku 47 fëmijë janë vrarë ose lënduar në dy muajt e parë të vitit në Jemenin e zhytur në luftë civile, pas përshkallëzimit të luftimeve të forcave qeveritare dhe kryengritësve huthi.
Jemeni ka rrëshqitur në luftë civile që nga viti 2014 kur rebelët e mbështetur nga Irani morën kontrollin e kryeqytetit Sana dhe pjesën më të madhe të veriut të vendit, duke detyruar qeverinë legjitime të zhvendosej në jug dhe pastaj të arratisej në Arabinë Saudite.
Koalicioni i udhëhequr nga sauditët, nisi në marsin e vitit 2015 një seri bombardimesh në përpjekje për të kthyer në pushtet presidentin Abed Mansur Hadi. Koalicioni ka edhe mbështetjen amerikane.
Luftimet janë përshkallëzuar në fillim të këtij viti pasi sauditët kanë nisur të fuqizojnë përkrahjen për trupat tokësore të Qeverisë së Jemenit. Por, Kombet e Bashkuara thonë se fëmijët po e vuajnë më së shumti luftën në vend.