Luftërat kanë vazhduar të përshkallëzohen në disa vende në rajonin e gjerë të Lindjes së Mesme më 2021. Lufta civile në Jemen tani është në vitin e shtatë. Luftimet ndërmjet rebelëve huthi dhe Qeverisë së Jemenit janë përqendruar në qytetet kryesore, Marib dhe Taiz. Kryengritësit kanë mbështetjen e Iranit, derisa forcat qeveritare njihen nga Arabia Saudite, shtetet tjera arabe dhe Perëndimi.
Lufta pa fund ka shkaktuar krizën më të madhe humanitare në botë, duke lënë milionë jemenas të pafajshëm pa ushqim dhe ilaçe. Lufta ua ka marrë jetën më shumë se 130 mijë personave, përfshirë luftëtarë dhe civilë, tregojnë të dhënat e një projekti për monitorimin e konflikteve.
Në Siri, sulmet ajrore të Qeverisë dhe mbështetësve rusë kanë vazhduar të kenë për cak Idlibin, territorin e fundit në kontroll të kryengritësve të vendit.
Janë rikthyer luftimet me rebelët në jugperëndim të vendit dhe sulmet me eksploziv për të cilat askush nuk po merr përgjegjësinë në qytetet e Sirisë veriore.
Konflikti në Siri nisi në marsin e vitit 2011 dhe deri tani ka lënë 350 mijë deri në 450 mijë të vrarë. Më shumë se gjysma e popullsisë së vendit është zhvendosur, përfshirë edhe pesë milionë sirianë refugjatë në shtetet e huaja.
Edhe
OKB-ja: Fëmijët po e pësojnë më së shumti luftën e Jemenit
Izraeli nisi një tjetër luftë kundër militantëve palestinezë në Gazë, prej nga u kryen sulme me raketa në drejtim të territorit izraelit. Lufta ishte kulmi i tensioneve në Jerusalem ndërmjet palestinezëve dhe kolonëve hebraikë. Kjo spirale dhune la 256 palestinezë dhe 15 izraelitë të vrarë.
Mbase më dramatikja ishte lufta në Afganistan që përfundoi me rënien tronditëse të Qeverisë civile pas tërheqjes së trupave perëndimore në gusht. Pas luftimeve të ashpra në gjysmën e parë të vitit, talebanët ia dolën të merrnin kontrollin e mbarë vendit, por po përballen me armikun e ri. Shteti Islamik po kryen sulme në Afganistan.