Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar të dielën se një sulm nga Shtetet e Bashkuara do të shkaktonte një "luftë rajonale" në Lindjen e Mesme, duke përshkallëzuar më tej tensionet.
Deklarata e tij vjen pasi presidenti Donald Trump ka kërcënuar të godasë ushtarakisht Republikën Islamike, për shkak të shtypjes së protestave të fundit mbarëkombëtare.
Komentet nga 86-vjeçari Khamenei janë kërcënimi më i drejtpërdrejtë që ai ka bërë deri më tani, pasi aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln dhe anijet luftarake amerikane që e shoqërojnë atë ,janë në Detin Arabik, të dërguara nga Trumpi atje, pas shtypjes së përgjakshme të protestave mbarëkombëtare nga Teherani.
Mbetet ende e paqartë nëse Trumpi do të përdorë forcën.
Ai ka thënë vazhdimisht se Irani dëshiron të negociojë dhe ka ngritur programin bërthamor të Teheranit si një çështje tjetër që ai dëshiron ta shohë të zgjidhur.
Por Khamenei gjithashtu iu referua protestave mbarëkombëtare si "një grusht shteti", duke forcuar qëndrimin e qeverisë, pasi dhjetëra mijëra njerëz thuhet se janë ndaluar që nga fillimi i demonstratave.
Akuzat për kryengritje në Iran mund të sjellin dënimin me vdekje, gjë që përsëri ripërtërin shqetësimet se Teherani kryen ekzekutime masive për të arrestuarit - një vijë e kuqe për Trumpin.
Irani ka planifikuar gjithashtu një stërvitje ushtarake me armë zjarri për të dielën dhe të hënën në Ngushticën strategjike të Hormuzit, grykëderdhja e ngushtë e Gjirit Persik, nëpër të cilën kalon një e pesta e të gjithë naftës së tregtuar.