Botë

Trumpi konfirmon se SHBA-ja është në “diskutime serioze” me Iranin

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar se Irani është në "diskutime serioze" me SHBA-në pas shtimit të vazhdueshëm të forcave ushtarake amerikane në Gjirin Persik.

Presidenti amerikan ka deklaruar se shpreson që negociatat me Iranin do të çojnë në diçka "të pranueshme", pasi tensionet midis dy vendeve mbeten të larta.

Zyrtari më i lartë i sigurisë i Iranit, Ali Larijani, ka thënë gjithashtu se një kornizë për negociata po përparon. 

Trumpi ka kërcënuar të ndërhyjë në Iran për shkak të ambicieve të tij bërthamore dhe pas shtypjes vdekjeprurëse të protestave antiqeveritare. Irani ka thënë se do të përgjigjet "menjëherë dhe fuqishëm" ndaj çdo agresioni nga toka ose deti.

Pritet që Irani të fillojë një stërvitje detare dy-ditore me armë zjarri të dielën në Ngushticën e Hormuzit - një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë dhe një rrugë kyçe për furnizimin me energji.

Rreth një e pesta e naftës së tregtuar në botë kalon nëpër këtë rrugë ujore, e cila është rreth 33 km e gjerë në pikën e saj më të ngushtë midis Iranit dhe Omanit. Irani në të kaluarën ka kërcënuar të mbyllë këtë rrugë ujore në rast të një sulmi ndaj saj.

SHBA-aja e ka paralajmëruar Iranin kundër çdo "sjelljeje të pasigurt dhe joprofesionale" pranë forcave të tyre në zonë.

Si pjesë e ndërtimit të forcave, SHBA-ja ka dërguar aeroplanmbajtësen e saj USS Abraham Lincoln në rajon dhe në fund të javës së kaluar komanda qendrore amerikane ka thënë se po operonte në Detin Arabik.

Të shtunën, dy shpërthime në Iran rritën ankthin në vend. Autoritetet lokale thanë se një shpërthim që vrau një person dhe plagosi 14 të tjerë në një ndërtesë në qytetin portual jugor të Bandar Abbas u shkaktua nga një rrjedhje gazi.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim mohoi raportet e mediave sociale se një komandant i marinës së Korpusit të Gardës Revolucionare ishte shënjestruar në shpërthim.

Në qytetin jugperëndimor të Ahvazit, të paktën katër persona u vranë në një shpërthim tjetër, teksa autoritetet lokale përsëri fajësuan një rrjedhje gazi, sipas Tehran Times të Iranit.