Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës (PRCS) ka akuzuar forcat izraelite për sulmin ndaj selisë së saj në Gazë, duke vrarë një punëtor dhe duke plagosur tre të tjerë.
Organizata humanitare ka thënë se sulmi "ka shkaktuar një zjarr në ndërtesë" në orët e para të mëngjesit të së dielës, raporton BBC.
Duke e përshkruar sulmin e natës ndaj objektit në qytetin jugor të Khan Younis si "të qëllimshëm", Gjysmëhëna e Kuqe ka thënë se vendndodhja e selisë së saj është "e njohur mirë" për ushtrinë izraelite dhe është "e shënuar qartë me emblemën mbrojtëse të kuqe".
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë thënë se "nuk kanë njohuri as për artilerinë dhe as për ndonjë sulm ajror" kur u pyetën nga BBC-ja për akuzën.
Një video e ndarë nga Gjysmëhëna e Kuqe në mediat sociale tregonte pjesë të ndërtesës në flakë teksa fotografitë pas ngjarjes tregonin dëme të mëdha në ndërtesë dhe disa njolla të mëdha gjaku.
Në një deklaratë, agjencia e ndihmës e ka identifikuar punëtorin e vrarë si Omar Isleem. Ajo ka njoftuar po ashtu se dy punëtorë të tjerë janë plagosur, si dhe një civil që po përpiqej të shuante zjarrin.
"Ky nuk ishte një gabim. Ne përsërisim thirrjen tonë për llogaridhënie dhe për mbrojtjen e të gjithë personelit humanitar dhe mjekësor”, ka njoftuar Gjysmëhëna e Kuqe.
Incidenti vjen teksa paralajmërimet për situatën humanitare në Gaza po shtohen. Shifrat e fundit nga
Kombet e Bashkuara tregojnë se të paktën 1,373 palestinezë janë vrarë duke kërkuar ushqim që nga fundi i majit.
Shumica janë vrarë nga ushtria izraelite pranë vendeve të shpërndarjes së Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF) të mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja, sipas OKB-së.
Izraeli ka akuzuar Hamasin për nxitjen e kaosit pranë qendrave të ndihmës dhe thotë se forcat e tij nuk hapin qëllimisht zjarr ndaj civilëve.