Botë

Të paktën nëntë të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza

Gaza

Të paktën nëntë palestinezë u vranë në sulmet ajrore izraelite në pjesët veriore dhe jugore të Rripit të Gazës të dielën, thanë zyrtarët palestinezë të mbrojtjes civile dhe të shëndetësisë.

Një sulm ajror izraelit vrau të paktën katër persona në një kamp që strehonte familje të zhvendosura, një tjetër sulm vrau pesë persona në Khan Younis, sipas mjekëve dhe zyrtarëve shëndetësorë.

Një zyrtar ushtarak izraelit deklaroi se Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kishin sulmuar “terroristë” të Hamasit si përgjigje ndaj “një shkeljeje të shtunën në Beit Hanoun, ku terroristët dolën nga një tunel në lindje të vijës së verdhë”.

Zyrtari e quajti sulmin e së dielës “të saktë” dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar, duke pohuar se Hamasi kishte kryer më shumë se gjashtë shkelje të armëpushimit.

Të shtunën, ushtria izraelite raportoi se kishte identifikuar “terroristë të armatosur” pranë trupave të saj në pjesën veriore të Gazës. IDF, duke vazhduar shkatërrimin e tuneleve nëntokësore, vëzhgoi luftëtarë që dolën nga një tunel dhe hynë në rrënojat lindore të “Vijës së Verdhë”. Aeroplanët e Forcave Ajrore sulmuan ndërtesën, duke eliminuar dy luftëtarë; ushtarakët sugjeruan se edhe militantë të tjerë mund të jenë vrarë.

Izraeli dhe Hamasi kanë akuzuar shpesh njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, një element kyç i planit të Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Që nga fillimi i marrëveshjes, ministria e shëndetësisë në Gaza raporton të paktën 600 palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite, ndërsa Izraeli raporton katër ushtarë të vrarë nga militantët në Gaza.