Një murgeshë është në mesin e 25 personave të arrestuar në Itali me dyshimin për pjesëmarrje në një bandë kriminale, me lidhje me rrjetin mafioz më të fuqishëm të vendit, Ndrangheta.
Murgesha dyshohet se ka qenë kanali i bandës dhe bashkëpunëtorëve të saj në burg, sipas raporteve në shtypin italian duke cituar njësinë antimafia të zyrës së prokurorit në Brescia, në Italinë veriore, raporton The Guardian.
Një ish-këshilltar i partisë së udhëhequr nga kryeministrja, Giorgia Meloni “Vëllezërit e Italisë” dhe një ish-politikan u arrestuan gjithashtu, dhe më shumë se 1.8 milionë euro fitime të paligjshme u sekuestruan nga policia gjatë një bastisjeje nëpër disa qytete në rajonet e Lombardisë dhe Venetos, si dhe në Kalabrinë në jug herët të enjten.
Të dyshuarit akuzohen për krime, duke përfshirë zhvatjen, trafikun e armëve dhe drogës, marrjen e mallrave të vjedhura, fajde, krime tatimore, pastrim parash dhe blerje votash.
Sipas Rai News, murgesha ka qenë vullnetare në burgun San Vittore në Milano që nga viti 2010 dhe ka punuar gjithashtu në burgjet në Pavia dhe Romë.
Hetuesit thanë se “roli i saj shpirtëror” siguronte lidhjen me të burgosurit dhe i lejonte asaj të kishte “qasje të lirë në objektet e burgut”.
Ndrangheta, e cila e ka origjinën në Kalabri, është një nga grupet më të pasura të krimit të organizuar në botë.
Ajo ka shfrytëzuar të ardhurat e saj të mëdha nga kokaina për të zgjeruar shtrirjen e saj në të gjithë Italinë, pjesën tjetër të Evropës dhe më gjerë. Këtë vit, më shumë se 130 persona janë arrestuar në bastisje të koordinuara në disa vende evropiane si pjesë e një goditjeje kundër organizatës.