Policia e Milanos në Itali dhe njësia speciale kundër krimit të organizuar kanë arrestuar 28 persona, 25 prej të cilëve janë dërguar në burg dhe 3 në arrest shtëpie, të dyshuar si pjesë e një grupi të trafikimit të drogës në mbarë botën.
Hetimi i drejtuar nga Prokuroria e Milanos dhe i mbështetur nga Drejtoria Kombëtare Antimafia, zbuloi një rrjet trafiku ndërkombëtar të drogës me qendra në Kalabri, Lombardi dhe Kampani, që importonte sasi të mëdha narkotikësh nga Amerika e Jugut, raporton Top Channel.
Rrjeti vepronte nga Lombardia dhe kishte degë në Gjermani, Holandë, Spanjë, Britaninë e Madhe, Kolumbi dhe Brazil. Në dy vite, grupi ka trafikuar drogë me vlerë mbi 27 milionë euro, duke përdorur komunikime të koduara dhe ndërmjetës shqiptarë.
Hetuesit kanë dokumentuar importimin e më shumë se 3,5 tonëve kokainë, prej të cilave mbi 400 kg u sekuestruan në Itali dhe jashtë saj. Droga futej në kontejnerë të ligjshëm përmes metodës së “mashtrimit”.