Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit (Europol) ka njoftuar të martën se ka shkatërruar një grup kriminal që trafikonte kokainë nga Kolumbia në Belgjikë, shkruan Reuters.
Europoli ka bërë të ditur se gjatë operacionit janë arrestuar 14 persona. 11 nga ta u arrestuan në Belgjikë, dy në Gjermani dhe një në Itali.
“Banda drejtohej nga një familje italiane që kishte kontakte me furnizues në Kolumbi dhe kimistë në Belgjikë. Ata importonin sasi të mëdha kokaine, të dërguara nga Kolumbia në portet evropiane”, thuhet në njoftimin e Europolit.
Ndër të tjera, sipas njoftimit, produkti ishte ruajtur nëpër magazina në Belgjikë, të cilat ishin përdorur pastaj si laboratorë.
Arrestimet janë bërë në kohën kur shteti belg po përpiqet që të përballet me shkallën në rritje të krimit në vend, që shpeshherë lidhet me betejat e grupeve rivale të drogës, shumë nga të cilat e kanë kthyer qytetin e Antwerpit dhe Brukselin në qendra të trafikut të drogës.