Botë

Një grua nga kampi Al-Hol në Siri: Le ta marrë vesh bota, këtu po ndodhin gjëra të tmerrshme

Një grua 30 vjeçare, shtetase e Serbisë në një bisedë me Radio Evropën e Lirë ka thënë se gjendet në situatë dhe kushte tejet të rënda në kampin Al-Hol, në veri të Sirisë.

Për shkak të sigurisë së saj dhe vajzës së saj, ajo nuk ka dashur që të shfaq identitetin.

“Unë jam nga Serbia, por dua që kjo gjë të merret vesh në të gjitha shtetet e botës. Ne jemi në kampin Al-Hol. Këtu janë duke ndodhur gjëra të tmerrshme”, ka thënë ajo.

“Këto gjëra që po ndodhin janë të reja, kanë ardhur persona të ri në pushtet, dhe ata duan të bëjnë diçka që askush se ka bërë më parë. Kanë filluar të na hynë në tenda dhe të na godasin pa asnjë arsye. Njërës grua ja kanë marrë fëmijën ndërsa atë e kanë goditur. Tani kanë ardhur ushtarë nga Iraku në pushtet dhe ata janë tejet të vrazhdë. Ju lus që kjo gjë të publikohet dhe shteti të ndërmerr diçka për të na larguar, të ndihmohen fëmijët dhe gratë në mënyrë që të largohen nga ky vend”, ka thënë shtetasja serbe për Radion Evropa e Lirë.