Një kamp në verilindje të Sirisë, ku strehoheshin familje të personave të dyshuar si anëtarë të grupit të Shtetit Islamike (IS), tani është pothuajse i zbrazët, pasi qindra gra dhe fëmijë janë riatdhesuar në vendet e tyre ose janë transferuar në objekte të tjera gjatë javëve të fundit, thanë zyrtarët.
Riatdhesimi drejt Irakut është pjesë e përpjekjeve të qeverisë siriane për kthimin në vendet e origjinës të militantëve të dyshuar të IS-it dhe familjarëve të tyre, të mbajtur në kampe të ndryshme që nga mposhtja e grupit ekstremist në Siri në vitin 2019, raportoi AP.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGonzalo Vargas Llosa, përfaqësues i agjencisë së OKB-së për refugjatë në Siri, deklaroi se agjencia e tij kishte ndihmuar në kthimin e 191 shtetasve irakianë nga kampi al-Hol në Irak të enjten.
“Me këtë riatdhesim, si dhe me kthimin sot të disa familjeve siriane në nevojë të mbështetura nga UNHCR dhe partnerët, kampi Al-Hol tani do të jetë praktikisht i zbrazët”, tha ai.
Një zyrtar i qeverisë siriane bëri të ditur gjithashtu se rreth 600 sirianë u zhvendosën nga kampi al-Hol në kampin Akhtarin në veriperëndim të Aleppos, ndërsa transferimet vazhdojnë.
Zyrtari, që foli në kushte anonimiteti, tha se vendimi për zbrazjen e kampit al-Hol u mor për shkak të vendndodhjes së tij të largët në shkretëtirë, larg shërbimeve dhe pranë zonave ku autoritetet nuk kanë kontroll të plotë territorial.
Pas disfatës së IS-it në vitin 2019, rreth 73,000 persona jetonin në al-Hol, shumica shtetas sirianë dhe irakianë, por edhe mijëra nga vende të tjera. Banorët e kampit janë kryesisht gra - bashkëshorte ose veja të anëtarëve të IS-it, dhe fëmijët e tyre.
Që atëherë, numri ka rënë pasi disa vende kanë riatdhesuar shtetasit e tyre, duke lënë rreth 24,000 persona muajin e kaluar. Nuk është e qartë sa kanë mbetur aktualisht, pas largimeve masive gjatë përleshjeve për kontrollin e kampit dhe pas riatdhesimeve të fundit.
Banorët e kampit teknikisht nuk konsiderohen të burgosur dhe shumica nuk janë akuzuar për krime, por ata janë mbajtur në një formë ndalimi në një objekt të ruajtur rreptësishtë.
Një dekadë më parë, në kulmin e fuqisë së tij, IS-i kishte pushtuar territore të gjera që shtriheshin në rreth një të tretën e Sirisë dhe Irakut, ku shpalli të ashtuquajturin “kalifat”. Qindra xhihadistë nga vende të ndryshme udhëtuan drejt Sirisë për t’iu bashkuar grupit, krijuan familje dhe rritën fëmijë atje.
Muajin e kaluar, forcat qeveritare siriane morën kontrollin e kampit al-Hol pas një ofensive disa javore kundër Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët, të cilat e kishin administruar kampin pranë kufirit me Irakun për një dekadë. Një marrëveshje armëpushimi i dha fund luftimeve.
Gjatë përleshjeve besohet se shumë familje u arratisën nga kampi.
Organizata “Save the Children” deklaroi se rreth 70% e banorëve janë larguar javët e fundit dhe bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare për procesin e riatdhesimit, duke theksuar se kushtet në kamp kanë qenë të rënda, me mungesë ushqimi, uji dhe dhunë të përhapur.