Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të enjten se do të vazhdojë të bashkëpunojë me presidentin amerikan, Donald Trump, për të mposhtur “armiqtë tanë të përbashkët, t’i lirojmë pengjet tona, dhe të zgjerojmë sa më shpejtë rrethin e paqes”, ka transmetuar The Guardian.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Netanyahu e ka falënderuar Trumpin për mbështetjen e jashtëzakonshme ndaj Izraelit dhe popullit hebre.
“Faleminderit, presidenti Trump, për mbështetjen tuaj të thellë për mua dhe mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme për Izraelin dhe popullin hebre”, ka shkruar Netanyahu. “Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për t’i mposhtur armiqtë tanë të përbashkët, për t’i liruar pengjet tona dhe për të zgjeruar sa më shpejtë rrethin e paqes”, thuhet tutje në postim.
Netanyahu e ka bashkëngjitur këtë mesazh me një foto të përbashkët të tij me Trumpin, si kundërpërgjigje ndaj fjalimit të parë të liderit suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, që pas arritjes së armëpushimit mes Iranit dhe Izraelit.
“Ata sulmuan objektet tona bërthamore, gjë që sigurisht do të meritonte ndjekje penale në gjykatat ndërkombëtare”, ka thënë Khamenei gjatë fjalimit të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian.
Sipas tij, “asgjë domethënëse” nuk ka ndodhur me bazat bërthamore të Republikës Islamike që u goditën nga Shtetet e Bashkuara disa ditë më parë.
Tek iu referua pretendimeve të presidentit amerikan, se SHBA-ja e ka “shkatërruar” programin bërthamor të Iranit, Khamenei ka thënë se homologu i tij “i ekzagjeron ngjarjet në mënyra të pazakonta, dhe siç duket atij i duhej ky ekzagjerim – çdo kush që i ka dëgjuar këto fjalë e ka kuptuar se ka një të vërtetë tjetër mbrapa këtyre fjalëve”.