Militantët e Hamasit kanë marrë peng 200 persona, në mesin e tyre edhe një 23-vjeçar. Nëna e tij ka rrëfyer se po jeton në univers alternativ teksa nuk ka marrë shumë lajme për gjendjen e tij shëndetësore.
Rachel Goldberg, nëna e 23-vjeçarit izraelit me shtetësi amerikane, i cili u mor peng nga Hamasi më 7 tetor, ka thënë për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se është duke jetuar në një univers alternativ në mungesë të të birit.
“Jam shumë e shqetësuar, sepse Hersh ishte i plagosur dhe nuk e di nëse humbi gjak para dy javësh në kamion. Nuk e di nëse ia ka dalë. Telefoni i tij ishte në Gaza, por ndoshta e ka marrë dikush. Pra, duket se po jetojmë në universin alternativ. Unë të shtrëngova dorën kur erdhët, por ka distancë mes nesh sepse nuk jetoj këtu ku jetoni ju”, ka thënë ajo.
I biri ishte në mesin e qindra të rinjve që po merrnin pjesë në festivalin e muzikës Tribe of Nova, 5 kilometra nga muri që ndan Gazën dhe pjesën jugore të Izraelit.
Militantët e Hamasit thyen murin dhe sulmuan festivalin, duke vrarë të paktën 260 persona.
Falë të mbijetuarve, Goldberg e di se i biri dhe shoku i tij arritën t’i iknin masakrës dhe u strehuan në një strehimore bombash bashkë me shumë të tjerë. Dëshmitarët kanë thënë se militantët e kanë dërguar në Gaza së bashku me 200 të tjerë.
Edhe
“Ai do të kthehet” – nuk shuhet shpresa e familjeve për pengjet izraelite
“Hamasi u shkoi në strehimore dhe i sulmoi me granata dore. Shumica prej tyre vdiqën. Disa të tjerë mbetën nën trupat e vdekur dhe u shtirën si të vdekur. Hershi dhe dy të tjerë janë plagosur dhe dëshmitarët me të cilët kemi folur kanë thënë se ishte plagosur në krah dhe se e ka lidhur me diçka”, ka shtuar ajo.
Sulmi i festivalit besohet të jetë masakra më e rëndë e civilëve në histori të Izraelit.
“Po lutemi vazhdimisht se dikush e ka dërguar në spital dhe ia kanë ndaluar gjakderdhjen dhe se po trajtohet mirë. Por duke parë rastet mendoj se ai mund të jetë duke vdekur. Dhe mendoj se nuk kemi shumë kohë”.
Të premten, Hamasi ka liruar një grua amerikane dhe të bijën e saj adoleshente që po mbaheshin peng në Gaza.
Goldberg thotë se ishte e lehtësuar për familjet e tyre dhe e lumtur që po merrnin frymë.
“Ndihem e lehtësuar për familjen e tyre sepse e di nëpër çfarë kanë kaluar. Ata do të mund të marrin frymë lirshëm”, ka deklarua ajo.
Edhe
“U ktheva i gjallë, por gjithçka ishte zhdukur”
Shpreson se do të marrë lajme të mira edhe për të birin e saj.
Lufta është në ditën e 17-të dhe llogaritet si një prej pesë luftërave më të mëdha në Gaza. Autoritetet palestineze kanë njoftuar se janë vrarë më shumë se 4 mijë persona, ndërkaq Qeveria izraelite ka njoftuar se nga sulmet e Hamasit janë vrarë 1 mijë e 400 persona.