Botë

Nëna e një pengu izraelit mban shpresë te plani i Trumpit për rikthimin e djalit të saj

Tamir

Herut Nimrodi, nëna e një ushtari izraelit të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor 2023, jeton tash e dy vjet në ankth dhe pasiguri, pa asnjë shenjë që djali i saj, Tamiri, jeton. Ajo është një nga shumë prindër që kërkojnë zbatimin e marrëveshjes së paqes që mund të sjellë kthimin e pengjeve nga Gaza. Me foton e të birit në bluzë dhe zërin e mbushur me dhimbje por edhe me vendosmëri, ajo u bën thirrje liderëve që të veprojnë.

Nëna e një ushtari izraelit të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor 2023 thotë se ende nuk e di nëse i biri është gjallë apo i vdekur, por ka “shpresë të vërtetë” se plani i paqes i Presidentit amerikan Donald Trump do të sjellë kthimin e të gjithë pengjeve që mbahen në Gaza.

Nerut Nimrodi i tha BBC-së se ajo ishte “duke pritur më të keqën” për djalin e saj Tamirin, por po mban shpresë se “ai është gjallë”.

Ajo tha se ai ishte i vetmi peng izraelit për të cilin familja nuk ishte informuar nëse është i gjallë apo i vdekur.

Plani i paqes i propozuar nga Trumpi ka marrë vrull, me bisedime indirekte që pritet të vazhdojnë të martën mes Hamasit dhe Izraelit për t’i dhënë fund luftës dhe për t’i kthyer pengjet.

“Ata kanë kohë që përpiqen të arrijnë një marrëveshje, por nuk ka funksionuar. Këtë herë ndihet ndryshe. Ka një shpresë të vërtetë që kjo është ajo e duhura, marrëveshja e fundit”, ka thënë ajo.

Ajo tha se ishte veçanërisht e rëndësishme që të gjitha pengjet, të gjallë dhe të vdekur, të lirohen në fazën e parë të planit.

“Kjo është gjë e madhe, është një bekim për ne”.

“Është urgjente të lirohen pengjet, ata që janë ende gjallë, por edhe ata që kanë ndërruar jetë. Nuk e dimë në çfarë gjendje janë trupat e tyre. Duhet të lirohen  që familjet të kenë një lloj qetësie. Edhe familjet që kanë marrë lajmin se të dashurit e tyre kanë vdekur, nuk e pranojnë, sepse kanë nevojë për prova.

Tamir është një nga 47 pengjet e rrëmbyer më 7 tetor që vazhdojnë të mbahen në Gazë, për 20 prej tyre besohet se janë ende gjallë.

Hera e fundit që ajo pa të birin ishte në një video të rrëmbimit të tij të postuar në rrjetet sociale më 7 tetor 2023.

“Vajza ime më e vogël, ajo ishte 14 vjeçe në atë kohë, erdhi duke bërtitur se kishte parë vëllain e saj duke u rrëmbyer në Instagram,” kujton ajo.

“E pashë Tamirin me pizhamet e tij. Ishte zbathur. Nuk kishte syze. Ai mezi sheh pa to. Ishte i tmerruar”, ka thënë ajo. “Ai është i vetmi izraelit për të cilin nuk ka asnjë tregues se çfarë ka ndodhur apo ku ndodhet saktësisht”.

Nimrodi tha se ndodhej në shtëpinë e saj pranë Tel Avivit kur mori një mesazh nga Tamiri herët në mëngjesit e 7 tetorit 2023, nga posti i tij në anën veriore të kufirit me Gazën.

“Ai më shkroi: ‘Ka raketa dhe nuk po ndalen”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se 20 minuta pas bisedës së tyre të fundit, pati marrë vesh se ai ishte rrëmbyer.

Që atëherë, ajo ka bërë fushatë për kthimin e të birit, përfshirë pjesëmarrjen në tubime me familje të tjera të pengjeve.

Por ajo tha se ka edhe ditë kur “nuk arrin të çohet nga shtrati.”