Njëra nga autostradat kryesore ndërkombëtare në Serbinë lindore është mbyllur të hënën, së bashku me shkollat dhe institucionet e tjera publike në zonë, pas rrjedhjes së amoniakut që ka sëmurë dhjetëra njerëz.
Një situatë emergjente është shpallur në qytetin lindor të Pirotit, pranë kufirit me Bullgarinë, pasi një tren mallrash që transportonte amoniak doli nga shinat të dielën në mbrëmje, duke lëshuar gazin e ndezshëm dhe toksik në atmosferë.
Një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar shkakun e aksidentit.
Ministri i Infrastrukturës, Goran Vesiq, tha se shqetësimi më i madh është menaxhimi i situatës në vendin e ngjarjes dhe të parandalohen dëmet e mëtejshme.
Ai shtoi se autoritetet do të shqyrtojnë gjithashtu nëse ka pasur shkelje të procedurave strikte për transportimin e materialeve toksike.
Edhe
Edhe një incident me rrjedhje të amoniakut në Serbi
Matjet të hënën në disa pika në Pirot – e cila është disa kilometra larg nga ku treni doli nga shinat – treguan se nuk kishte prani të amoniakut në ajër apo ujë.
Por autoritetet lokale megjithatë i këshilluan njerëzit të jenë të kujdesshëm dhe të qëndrojnë brenda, ndërsa shkollat dhe institucionet e tjera publike u mbyllën.
Më shumë se 50 persona kërkuan ndihmë mjekësore në një spital lokal në Pirot, ndërsa 15 të tjerë u transferuan në qytetin jugor të Nishit, tha televizioni shtetëror RTS.
Banorët në zonë, gjithashtu, janë këshilluar që të mos pinë ujë rubineti ose ta përdorin atë për të përgatitur ushqim për momentin, thuhet në raport.
Edhe
Dyshohet për një të vdekur e 51 të plagosur nga rrjedhja e amoniakut në Pirot të Serbisë
Sipas televizionit shtetëror, policia në Pirot konfirmoi se gjeti një person të vdekur pranë vendit të aksidentit, ndërsa ekipet mjeko-ligjore ende nuk e kanë përcaktuar shkakun e vdekjes.
Treni po qarkullonte në një linjë të rregullt nga Bullgaria në Serbi. Ai përbëhej nga 21 vagonë, katër prej të cilëve dolën nga shinat dhe një rrodhi amoniak, tha zyrtari i urgjencës Luka Çaushiq për televizionin lokal Pink.