Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Në mbrojtje të ushtarëve: misioni i vështirë i Olha Reshetylovës

Olga Reshetylova

Foto: New York Times

Olha Reshetylova është ngarkuar nga qeveria të mbikëqyrë të drejtat e ushtarëve. Disa komandantë nuk e pranojnë, por ajo thotë se puna e saj i bën forcat e armatosura më të forta. Pas më shumë se një dekade aktivizmi dhe përballjesh me drejtues ushtarakë, ajo është bërë ombudsmanja e parë ushtarake e Ukrainës. Në një vend që prej vitesh ndodhet në luftë me Rusinë, Reshetylova beson se mbrojtja e dinjitetit dhe e të drejtave të ushtarëve nuk e dobëson ushtrinë, por e bën atë më efektive, më të drejtë dhe më të gatshme për sfidat e luftës.

Përpara se të mund të pranonte detyrën si avokatja kryesore për të drejtat e ushtarëve në ushtrinë ukrainase, Olha Reshetylova duhej së pari ta krijonte vetë këtë post.
Nuk ishte aspak e lehtë, sidomos duke pasur parasysh kundërshtarët që kishte krijuar ndër vite. Për dhjetë vjet me radhë, ajo punoi si aktiviste e shoqërisë civile, duke ngritur vazhdimisht zërin për abuzimet që ndodhnin brenda ushtrisë. Forcat e armatosura nuk kishin asnjë zyrtar të posaçëm që të trajtonte ankesat e ushtarëve, përfshirë rastet kur komandantët hakmerreshin ndaj vartësve duke i kërcënuar se do t’i dërgonin në misione tepër të rrezikshme, me gjasa të larta për vdekje.
Çdo kritikë ndaj ushtrisë është një çështje shumë e ndjeshme në Ukrainë, ku ky institucion gëzon respekt të madh për rolin e tij në mbrojtjen e vendit kundër agresionit rus që nga viti 2014. Reshetylova, tashmë 40 vjeçe, u përball me kërcënime për ndjekje penale për shkak të hetimeve që zhvillonte. Në një rast, sipas saj, një komandant urdhëroi ushtarët e tij të drejtonin armët drejt saj për ta penguar të hynte në një bazë ushtarake. Ajo u bë gjithashtu objekt i një fushate shpifëse në internet, ku paraqitej si një agjente e huaj.

Megjithatë, ajo nuk u tërhoq. Në tetor të vitit të kaluar, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e emëroi si ombudsmanen e parë ushtarake të vendit. Pikërisht ai i kërkoi asaj që ta hartonte dhe ta ndërtonte vetë këtë funksion.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Që prej asaj kohe, ushtarët e ushtrisë ukrainase, e cila numëron afro një milion pjesëtarë, kanë paraqitur mijëra ankesa lidhur me mënyrën se si janë trajtuar. Reshetylova thotë se kjo e ka bindur edhe më shumë për rëndësinë e rolit të saj, në një kohë kur lufta e ashpër në llogore ka hyrë në vitin e pestë.

“Edhe nën bombardime, edhe në ushtri, edhe gjatë luftës, gjëja më e rëndësishme është dinjiteti njerëzor”, shprehet ajo.

Përballja me komandantët

Përpjekja e Reshetylovës ka edhe një dimension personal. Bashkëshorti i saj po lufton në front. Çifti ka dy djem, njëri 5 dhe tjetri 14 vjeç, të cilët një ditë mund të përfshihen gjithashtu në luftë nëse konflikti vazhdon për shumë vite.

Kjo mundësi e forcon atë gjatë përballjeve të vështira me komandantët ushtarakë.

“Sigurisht që ndonjëherë mund ta shohësh skepticizmin në sytë e tyre”, thotë ajo. Por, sipas mandatit ligjor që vetë e ka hartuar, “komandantët janë të detyruar të më pranojnë”.

Disa oficerë i kanë sugjeruar që të kalojë më shumë kohë në postet komanduese pranë vijës së frontit përpara se të japë këshilla. “Këtë e marr me pak humor”, thotë ajo. “Me shumë gjasa, unë kam kaluar më tepër kohë në poste komanduese sesa disa prej vetë komandantëve.”

Reshetylova i njeh nga afër sfidat e pamëshirshme me të cilat përballen ushtarët në një luftë ku dronët po luajnë një rol gjithnjë e më vendimtar. Këto sfida përfshijnë qëndrimin për periudha të gjata në bunkerë të nëndheshëm, pa mundësi për të dalë në sipërfaqe as për higjienë personale dhe as për të evakuuar të plagosurit.

“Kjo kërkon ndryshime në doktrinën e stërvitjes ushtarake”, thotë ajo. “Tani duhet t’i përgatisim ushtarët për mbijetesë afatgjatë në hapësira të mbyllura”. Sipas saj, ata duhet të mësojnë “si të mbijetojnë në temperatura minus 20 gradë pa pasur mundësi të ndezin zjarr”, pasi edhe flaka më e vogël mund të zbulojë pozicionin e tyre.

Në vitin 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë dhe nxiti konfliktet separatiste në lindje të Ukrainës, Reshetylova po kujdesej për fëmijën e saj të parë.

Ajo filloi të angazhohej në çështjet e luftës pasi ushtarë ukrainas nga qyteti i saj mbetën të rrethuar në frontin lindor. Fillimisht organizoi mbledhje fondesh për të blerë jelekë antiplumb për ushtarët.
Më vonë, ajo bashkëthemeloi organizatën joqeveritare “Come Back Alive”. Paralelisht nisi të merrej me gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, duke u fokusuar kryesisht në mbrojtjen e të drejtave të ushtarëve.

Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, ajo i kushtoi pjesën më të madhe të kohës dokumentimit të krimeve të luftës të kryera nga forcat ruse. Por, pasi hasi në shumë raste të shkeljeve të të drejtave të ushtarëve ukrainas nga vetë komandantët e tyre, ajo iu rikthye fokusit të saj të mëparshëm: mbrojtjes së të drejtave të ushtarëve.

Përpara se të emërohej ombudsmanja ushtarake, Olha Reshetylova u caktua në një rol paraprak si komisionere për mbrojtjen e të drejtave të ushtarëve. Presidenti Volodymyr Zelensky ia ofroi këtë detyrë gjatë një takimi në mbrëmjen e 30 dhjetorit 2024 dhe i kërkoi që të hartonte legjislacionin që do të përcaktonte zyrtarisht pozitën e ombudsmanit ushtarak. Ai ishte bindur për nevojën e krijimit të këtij posti pas presionit dhe përpjekjeve të vazhdueshme të aktivistëve të shoqërisë civile.

Në deklaratën e bërë pas emërimit të saj, Zelensky e cilësoi Reshetylovën si “një mbrojtëse të njohur, me përvojë dhe shumë efektive të të drejtave të njeriut në Ukrainë”.

Reshetylova kujton se atë ditë doli nga zyra e presidentit në Kiev dhe pothuajse menjëherë humbi orientimin në rrugët e errëta të qytetit. Kryqëzimet ishin të bllokuara me thasë rëre dhe pika kontrolli që mbronin zonën qeveritare.

“Ishte ftohtë, errësirë dhe isha krejtësisht vetëm”, kujton ajo. “Nuk kisha ekip, nuk kisha staf, nuk kisha asgjë. Isha vetëm me veten. Mendova: ‘Zot, çfarë duhet të bëj tani?’”

Ajo telefonoi Ruslan Tsyhankovin, një ish-prokuror ushtarak dhe bashkëpunëtor të kahershëm, dhe i kërkoi ndihmë. Më vonë ai do të bëhej zëvendësi i saj. Të dy kaluan muaj të tërë duke hartuar vizionin e tyre për funksionin e ombudsmanit ushtarak.

Drejtuesit e lartë të ushtrisë, të cilët nuk e shihnin me sy të mirë një mekanizëm mbikëqyrjeje mbi veprimtarinë e tyre, kishin mbështetës edhe në Parlament.

Ikja e ushtarëve nga shërbimi

Reshetylova ishte përgatitur për një pritje të ftohtë dhe armiqësore.

Kur doli në foltoren e Kuvendit për të paraqitur projektligjin para deputetëve, ajo filloi të fliste në mënyrën zyrtare dhe formale që kërkonte protokolli, duke shpjeguar dispozitat e draftit.

“Papritur kuptova se askush nuk po më dëgjonte”, thotë ajo.

Atëherë largoi letrat mënjanë dhe iu drejtua sallës me zë të lartë:

“Ju lutem, ky vendim është i domosdoshëm për një milion ushtarë!”

Projektligji u miratua.

Që nga ajo kohë, sipas Pavlo Palisës, zëvendësshef i Zyrës së Presidentit dhe ish-komandant brigade, administrata presidenciale ka “ndërtuar një partneritet konstruktiv dhe sistematik me Zyrën e Ombudsmanit Ushtarak”.

“Sot”, tha ai, “mbrojtja e të drejtave të personelit ushtarak, përmirësimi i komunikimit brenda sistemit dhe reagimi i shpejtë ndaj situatave kritike ndikojnë drejtpërdrejt si në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve, ashtu edhe në efektivitetin e ushtrisë”.

Gjatë një vizite të fundit në një brigadë në perëndim të Ukrainës, Reshetylova eci mes tendave të ushtarëve të ngritura në një pyll, duke vëzhguar me kujdes gjithçka rreth saj.

Ushtarët e Brigadës së 162-të të Mekanizuar po përgatiteshin të dërgoheshin në vijën e frontit, ku i prisnin luftime të ashpra. Atje ata do të përballeshin me mjaft sfida nga forcat ruse. Reshetylova kishte ardhur për t’i mbrojtur nga rreziqe të tjera: nga komandantët e padrejtë, kolegët abuzues dhe shkeljet e ligjeve ukrainase.

Në një moment ajo vuri re një ushtar të ulur në një stol. Gjendja e tij shëndetësore dukej e rënduar dhe pranë kishte një patericë. Komandanti që e shoqëronte, koloneli Dmytro Borodiy, tha se kishte të paktën njëzet rekrutë në gjendje të ngjashme dhe nuk dinte si të vepronte me ta.

Sipas tij, zyrat e mobilizimit po rekrutonin burra të tillë edhe pse ata përbënin më shumë barrë sesa ndihmë për njësitë ushtarake. Megjithatë, ai nuk kishte të drejtë ligjore t’i linte pas kur brigada të nisej drejt frontit. Reshetylova premtoi se do ta ngrinte këtë çështje tek autoritetet në Kiev.
Një problem edhe më i madh, sipas kolonelit, ishin ushtarët që largoheshin nga shërbimi.

Ai tregoi historinë e një rekruti të sapomobilizuar, i cili kishte punuar si regjisor filmash. Kur mbërriti në stërvitje, tha koloneli, “ishte shumë i dobët, këmbët i dridheshin, duart i dridheshin dhe sytë i kishte të zgurdulluar nga frika”.

Rekrutit iu tha se mund të merrej me xhirimin e videove për brigadën. “Por jo”, tha koloneli. “Pas tre ditësh, regjisori ishte zhdukur”.

Sipas të dhënave qeveritare, rreth 200 mijë ushtarë ukrainas kanë munguar në një moment pa leje nga njësitë e tyre, ndërsa shumë prej tyre janë larguar vetëm pak ditë pasi kanë filluar stërvitjen bazë.
Për ta zgjidhur këtë problem, komandantët ushtarakë kishin kërkuar masa ndëshkuese më të ashpra, si bllokimi i llogarive bankare, heqja e patentës së shoferit ose rritja e përgjegjësisë penale.
Në vend të kësaj, Reshetylova shtoi një kurs përshtatjeje tre-ditor në programin bazë të stërvitjes, i cili zakonisht zgjat rreth një muaj. Kursi zhvillohet nga psikologë të veshur me rroba civile dhe synon ta bëjë më të lehtë kalimin shpesh traumatik nga jeta civile në jetën ushtarake.

Po atë ditë, ajo vizitoi edhe një kamp ku mbaheshin ushtarët e arrestuar pasi ishin larguar pa leje nga njësitë e tyre. Ushtarëve në kampe të tilla shpesh u jepet mundësia të transferohen në brigada të tjera. Shërbimi në një brigadë të keqmenaxhuar është një nga arsyet më të zakonshme që i shtyn ushtarët të largohen nga ushtria.

Më pas ajo hipi në një autobus me ushtarë që po niseshin për t’iu bashkuar njësive të reja.
“A e dini kush është ombudsmani ushtarak?” i pyeti ajo.
Asnjëri nuk e dinte.
“Ju lutem, na shkruani nëse keni ndonjë problem”, u tha ajo.

Sipas Reshetylovës, mbrojtja e të drejtave të ushtarëve do ta bëjë ushtrinë më të fortë, sepse do të ndihmojë në uljen si të shmangies së mobilizimit, ashtu edhe të rasteve të largimit pa leje nga shërbimi.

Megjithatë, ajo pranon se, pavarësisht mandatit që ka, ndikimi i saj brenda strukturave ushtarake mbetet ende i kufizuar. Në fund të fundit, vendi është në luftë dhe Ukraina ka nevojë urgjente për ushtarë.

Ky është edhe “sfida kryesore”, thotë Reshetylova:

“Si mund të ndërtosh një ushtri, në thelb, nga njerëz që deri dje ishin civilë?”