Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

NATO-ja rrëzon një dron që shkeli hapësirën ajrore të Rumanisë

Avioni spanjoll

Një pilot i avionit luftarak spanjoll F-18, në një mision të NATO-s për patrullimin e hapësirës ajrore, ka rrëzuar një dron që po shkelte në mënyrë të paligjshme hapësirën ajrore kombëtare të Rumanisë.

Ky është mjeti i katërt ajror pa pilot që vendi rrëzon këtë vit, sipas një njoftimi të të dielën nga ministria e Mbrojtjes së Rumanisë.

Ky shtet anëtar i NATO-s ndan një kufi tokësor prej 614 km me Ukrainën dhe ka parë dronë rusë të shkelin vazhdimisht hapësirën e tij ajrore gjatë katër vjetëve të fundit, si dhe mina që lundrojnë në Detin e Zi përgjatë rrugëve kryesore tregtare dhe energjetike.

Ministria nuk e ka specifikuar origjinën e dronit, por ka thënë se radarët e saj e kishin diktuar atë teksa hynte në vend nga Moldavia fqinje, rreth 24 km në veri të qytetit rumun juglindor, Galati.

Avioni F-18 "vendosi kontaktin me radar me objektivin dhe mori lejen për ta neutralizuar atë", ka thënë ministria në një deklaratë. 

"Droni është rrëzuar në mënyrë të sigurt në orën 05:01 të mëngjesit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ministria ka bërë të ditur se fragmentet duket se kanë rënë në një zonë të pabanuar midis dy fshatrave.

Edhe Rumania rrëzon dronin e tretë rus, presidenti i vendit i quan shkeljet “të patolerueshme“ Botë Rumania rrëzon dronin e tretë rus, presidenti i vendit i quan shkeljet “të patolerueshme“

Në muajin korrik, pilotët e avionëve luftarakë rumunë F-16 rrëzuan tre dronë rusë që po shkelnin hapësirën ajrore kombëtare.

Kjo kishte ndodhur për herë të parë pas dhjetëra shkeljeve të tilla gjatë periudhës së gjatë, tashmë mbi katër-vjeçare, të pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Më herët gjatë vitit, një dron rus është përplasur me një ndërtesë banimi në qytetin e Galatit gjatë një sulmi të kryer natën ndaj Ukrainës fqinje, duke plagosur dy persona.