Pilotët e avionëve luftarakë të NATO-s kanë rrëzuar një dron që hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë gjatë natës, njoftoi presidenti lituanez.
Autoritetet thanë se droni me shumë gjasë hyri në jug të Lituanisë, pranë qytetit të dytë më madh të vendit, Kaunas, nga Bjellorusia fqinje, pak pas mesnatës të së martës, shkruan BBC.
“Një dron që sapo hyri në hapësirën ajrore të Lituanisë, u shkatërrua nga avionët luftarakë të NATO-së”, ka shkruar në X presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda.
Origjina e dronit ende nuk është bërë e ditur, tha një zëdhënës i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave të Lituanisë.
Alarmet për dronë u dëgjuan në të gjithë kryeqytetin Vilnius dhe rajonin përreth të martën në mëngjes.
Forcat e Armatosura të Lituanisë dhe pilotët italianë që shërbejnë në Misionin e Mbrojtjes Ajrore të NATO-s “treguan një reagim të shpejtë dhe të përgjegjshëm” ndaj shkeljes së hapësirës ajrore nga droni, tha Ministria e Mbrojtjes e Lituanisë.
“Ndërsa Rusia po intensifikon agresionin e saj kundër Ukrainës, një gatishmëri e tillë është jetike për rajoni tonë. Së bashku me aleatët tanë në NATO, Lituania do të mbrojë hapësirën e saj ajrore”, ka shkruar Nauseda.
Moska nuk ka komentuar lidhur me incidentin.