Kryeministri i Lituanisë i ka thënë BBC-së se vendi i tij ka hartuar plane evakuimi përballë kërcënimeve nga Rusia, por ka shtuar se, nëse sulmohen, ata “nuk do të dorëzohen”.
Kryeministri Mindaugas Sinkevicius tha se lituanezët ndihen “vazhdimisht të kërcënuar” nga Rusia, për shkak të dronëve që hyjnë në hapësirë ajrore të vendit.
Ai tha se nëse vendi i tij do të sulmohej “do të kundërpërgjigjemi...do të angazhohemi”. Megjithatë, ai tha se janë përgatitur plane për “një sërë skenarësh”, duke dhënë si shembull nxjerrjen e qytetarëve të moshuar nga qytetet “në mënyrë të qetë dhe të organizuar”, duke shmangur bllokimet e trafikut.
Lituania, anëtare e NATO-s, ndan një kufi tokësor me enklavën ruse të Kaliningradit.
“Po mendojmë për një sërë skenarësh, jo të gjithë prej tyre po diskutohen shumë publikisht”, tha ai për BBC.
“Përballemi me kërcënime konkrete, jo çdo ditë, por po i përjetojmë ato dhe ky është një realitet i vërtetë për ne”, ka thënë ai.
Sinkevicius tha gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar kishte nevojë për “një ndryshim në mënyrën e të menduarit” sa i përket qasjes së saj ndaj mbrojtjes, por vuri në duke se Lituania është “më pranë kufirit dhe më pranë kërcënimit”.
Kjo vjen vetëm një javë pasi pilotët e avionëve luftarakë të NATO-s rrëzuan një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë.
Megjithëse origjina e dronit nuk është konfirmuar, ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas, i tha emisionit Newshour se droni kishte ardhur nga drejtimi i Bjellorusisë, vend fqinj i Lituanisë dhe aleat i rëndësishëm i Rusisë.
“Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të forcave lituaneze dhe italiane, NATO edhe një herë dëshmoi gatishmërinë tonë për të mbrojtur hapësirën tonë ajrore”, tha sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting. “Ne qëndrojmë të bashkuar, gjatë gjithë kohës, në mbrojtje të çdo pëllëmbe të territorit të NATO-s.”
Moska nuk komentoi mbi incidentin.