Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ministrja boshnjake në Austri merret nën mbrojtje pas kërcënimeve të ekstremistëve të djathtë

Kancelari i Austrisë i ka dënuar mesazhet e urrejtjes në mediat sociale që kanë për cak gruan me origjinë boshnjake, e cila u caktua si ministre e Drejtësisë në kabinetin e tij të ri.

“Ne do të veprojmë në mënyrë sistematike kundër urrejtjes në internet”, ka shkruar Sebastian Kurz në Twitter, raporton KTV.

Politikanja nga Partia e Gjelbër, Alma Zadiq, avokate për të drejtat e njeriut, po përballet me një valë kritikash dhe kërcënimesh nga aktivistët e ekstremit të djathtë.

Mediat austriake thonë se tre oficerë policorë nga njësia elitare ‘Kobra’ po e ruajnë atë gjatë gjithë kohës, megjithëse qeveria nuk e ka konfirmuar këtë informacion.

Zadiqi, 35 vjeçe, është në mesin e katër të Gjelbërve të emëruar në poste të larta në kabinetin e kancelarit Kurz, që u betua të martën.

Kancelari Kurz kaloi në një partneritet të pashembullt me të Gjelbrit pas një skandali që përfshiu ish-aleatët e tij, Partinë e ekstremit të djathtë të Lirisë.

Emigracioni ka qenë çështje e nxehtë politike në Austri vitet e fundit, veçanërisht pasi më shumë se një milion emigrantë, shumë prej tyre nga Lindja e Mesme, kërkuan azil në Evropën Qendrore në periudhën 2015-2016.

Edhe Ministrja Zadiq nën mbrojtje të policisë   Botë Ministrja Zadiq nën mbrojtje të policisë

Si një 10-vjeçare, Zadiqi shpëtoi nga lufta në Bosnje më 1994 dhe me prindërit u vendosën në Vjenë.

Nga ekstremistët e djathtë, ministrja është përshkruar si myslimane, por ajo mohon çdo lidhje fetare.

Në Facebook , ajo ka thënë se u përfshi në politikë në mënyrë që të luftojë për drejtësi sociale, ku të gjithë, pavarësisht prejardhjes së tyre shoqërore ose kombëtare, fesë apo gjinisë, të kenë të njëjtat mundësi në jetë.