Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mijëra njerëz në Sllovaki kundërshtojnë planin e Qeverisë për korrupsionin

Mijëra njerëz janë mbledhur para Parlamentit të Sllovakisë të mërkurën për të dënuar një plan nga qeveria e re e kryeministrit Robert Fico për të eliminuar zyrën e prokurorit special që merret me krimin dhe korrupsionin.

Turma u mblodh ndërsa deputetët debatuan për këtë temë. Koalicioni qeverisës, me shumicë në Parlament, e ka shtyrë votimin për këtë deri të enjten, raportoi AP.

Një numër njerëzish të lidhur me partinë e kryeministrit përballen me ndjekje penale për skandale korruptive. Bashkimi Evropian ka vënë në pikëpyetje ndryshimet e planifikuara, të cilat po ashtu përfshijnë zvogëlimin e dënimeve për korrupsion.

Sipas një plani të tillë të aprovuar nga qeveria e Ficos, krimet si ryshfeti, krimi i organizuar dhe ekstremizmi do të merreshin përsipër nga prokurorët në zyrat rajonale të cilët nuk janë marrë me krime të tilla qe 20 vjet.