Botë

Merzi zotohet për përkrahje të Ukrainës, paralajmëron sanksione të tjera ndaj Rusisë

Friedrich Merz

Kancelari i ri gjerman, Friedrich Merz, ndodhet në Bruksel sot, në udhëtimin e tij të parë në kryeqytetin e Bashkimit Evropian që nga emërimi, ku u takua fillimisht me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka raportuar The Guardian.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Merzi ka deklaruar se Gjermania do të “qëndrojë fuqishëm përkrah Ukrainës” dhe se “do të bëjë gjithçka që mundet për ta përfunduar këtë luftë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ai ka theksuar se “ukrainasit duhet të përfshihen” në çdo diskutim, dhe ka premtuar se BE-ja do të vazhdojë “ta mbështesë Ukrainën që të jetë në gjendje të mbrohet në mënyrë efektive”.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të përfshihet tani në rrugën drejt paqes së qëndrueshme, dhe nëse kjo nuk ndodh, ne nuk do të hezitojmë të rrisim presionin e sanksioneve me partnerët tanë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Merz.

Ai ka deklaruar se e nisi mandatin e tij me vizita në Paris dhe Varshavë, por dëshiron që të gjithë partnerët evropianë “të jenë në gjendje t’i besojnë Gjermanisë dhe ta dinë se mund të mbështeten tek ajo”.

Duke përshkruar prioritetet e tij për politikën e BE-së, ai ka thënë se vendet anëtare duhet të përqendrohen në avancimin e tregut të përbashkët evropian si nxitës të konkurrencës brenda bllokut, dhe të punojnë për thjeshtimin e rregullave.

Pas takimit me Costan, Merzi është takuar edhe me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.