Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Merck kërkon autorizimin në SHBA për pilulën anti-COVID

Kompania farmaceutike Merck ka kërkuar të hënën aprovimin nga rregullatori në SHBA për pilulën kundër COVID-19, në atë që do të ishte një armë krejt e re dhe më e lehtë për të luftuar pandeminë, raporton agjencia AP.

Nëse merr aprovimin nga Agjencia e Ushqimit dhe Barnave në SHBA (FDA) – një vendim që pritet të vijë brenda javëve – atëherë do të jetë pilula e parë që trajton COVID-19. Të gjitha trajtimet tjera kundër sëmundjes kërkojnë injeksione apo trajtim intravenoz.

Një pilulë anti-virus që njerëzit mund ta marrin në shtëpi për të reduktuar simptomat dhe shpejtuar rikuperimin, do të ishte hap i madh në betejën kundër pandemisë, duke zbutur kështu ngarkesën nëpër spitale dhe duke zvogëluar përhapjen në shtetet më të varfra me sistem shëndetësor më të dobët.

FDA do të shqyrtojë të dhënat e kompanisë për sigurinë dhe efikasitetin e ilaçit, të njohur si molnupiravir, para se të marrin vendimin.